Komisioni për Mirëqenie Sociale kalon të gjitha amandamentet për Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale votoi me 6 vota për të gjitha amandamentet në Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Ky projektligj ka gjithsej 53 amandamente, të punuara nga grupi punues, i cili ka qenë i përbërë nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku tha se ky projektligj bashkë me amandamentet e votuara do t’i dërgohen edhe komisioneve të tjera relevante për shqyrtim, para se të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Kollçakut, ky projektligj ka pasur pranueshmëri të madhe nga shoqëria civile e aktorë të tjerë, gjë që i ka motivuar për të punuar më shumë.

Ky projektligj parasheh rregullimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat dhe familjet në nevojë, detyrat dhe përgjegjësisë e institucioneve publike dhe atyre private që ofrojnë shërbime sociale e familjare.

Ky projektligj ishte miratuar në lexim të parë në Kuvend më 19 tetor.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pati thënë se ky projektligj parasheh një reformë rrënjësore në shërbimet sociale dhe familjare, saktëson kompetencat institucionale përgjegjëse në nivel komunal e qendror si dhe klasifikon këto shërbime në tri nivele, parësore, dytësore dhe tretësore.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kërkoi llogari nga kryetarja e Komisionit për mosftimin e Ministrit të Shëndetësisë për raportim në Komision, edhe pse ishin marrë vesh që ta ftojnë.

“U dakorduam që me i thirrë edhe ministrin e Shëndetësisë edhe ShSKUK-së për të diskutuar, asnjëra nuk u mor për konsideratë. Ka çka të diskutohet sidomos për objektivat e vitit 2024. Pse kështu nuk po e kuptoj” – u shpreh Haxhiu.

Deputeti e cilësoi këtë si dështim të planit të punës

Kryetarja Kollçaku nuk u pajtua se ka dështuar plani i punës dhe tha se do ta ftojnë ministrin, e nëse është e nevojshme edhe kryesuesin e Bordit të SHSKUK-së.

Ajo u arsyetua se deri tani nuk kanë gjetur hapësirë ta ftojnë, për shkak se kanë qenë duke punuar për Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare.