Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së shqyrton kërkesën për shtim të buxhetit

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka mbajtur një takim sot, i cili qenë i mbyllur për media dhe po ashtu pas mbledhjes nuk ka pasur deklarime për media.

Sipas njoftimit, në rendin e ditës kanë qenë miratimi i rendit të ditës, miratimi i Procesverbalit të mbledhjes së komisionit, të mbajtur më 9 nëntor 2022 dhe shqyrtimi i kërkesës për shtim të mjeteve buxhetore për AKI në Projektligjin për Buxhet për vitin 2023.

Qeveria e Kosovës më 28 tetor 2022 kishte miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2023 që pritet të jetë rreth 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kryeministri, Albin Kurti kishte njoftuar se të hyrat buxhetore presin që të ketë rritje prej 2 miliardë e 884 milionë euro.

“Kemi ndarë 745 milionë euro në paga dhe mëditje, 496 milionë euro në kategorinë mallra dhe shpenzime, 1 miliard e  98 milionë në subvencione dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale” – pati thënë Kurti.

Po ashtu Kurti kishte njoftuar se janë shtuar 240 pozita të reja për inspektorët dhe janë ndarë 296 milionë euro për shëndetësinë e 60 milionë janë për barnat esenciale dhe se do të vazhdohet mbështetjen e ndërmarrjeve publike.