Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së dërgon shkresë te drejtori për informacione pas përgjimeve

Pretendimet se Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsie Asllani po përdor pozitën e saj për të ushtruar ndikim në zgjidhjen e një lënde të një personi, informacione të dala nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës se kush po hetohet nga krerët e lartë të institucioneve të drejtësisë janë publikuar ditëve të fundit nga media online “Shqip”.

Për këto çështje të cilat pretendohet se janë diskutuar vitin e kaluar, Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu në një bisedë me KALLXO.com tha se kanë kërkuar sqarime nga Drejtori i AKI-së.

“Unë sot i kam dërguar një shkresë drejtorit të AKI-së, dhe kam kërkuar që të na informoj detajisht në lidhje me rastin. Si kryetare e Komisionit kaq kam mundësi për momentin, që fillimisht të kemi informacione dhe më pas në bazë të informatave që mund t’i kemi nga drejtori do ta vlerësojmë se a duhet ta thirrim në raportim me urgjencë apo jo”, tha Musliu për KALLXO.com.

Bisedat e publikuara pretendohen se janë përgjime që kanë ndodhur vitin e kaluar mes disa krerëve të institucioneve në Kosovë dhe personave të ndryshëm deri sa flitet për raste të ndryshme dhe ndikim në këto raste.

Madje në këto incizime përmendet edhe se çka janë duke hetuar Agjencioni Kosovar i Inteligjencës, (AKI) e edhe se si në një rast prokurorja e krimeve të rënda Shemsie Asllani ka telefonuar AKI-në për t’u interesuar për personin me të cilin flet në përgjimet e publikuara.