
Komisioni për Liritë Civile i PE-së voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën
Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme ka votuar pro liberalizmit të vizave për Kosovën.
Marrëveshja për heqjen e vizave është miratuar sot me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime.
“Me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, komisioni dha dritën jeshile për miratimin përfundimtar të legjislacionit, i cili do t’i lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në BE – dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë – pa kërkuar një vizë, për periudha deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore”- ka njoftuar Parlamenti Evropian.
Pas më shumë se 10 viteve prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën, vendimi në seancën e Parlamentit Evropian pritet të merret gjatë muajit prill 2023, duke shënuar njëherit edhe hapin e fundit të këtij procesi.
Vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për kosovarët pritet të hidhet në votim mes datave 17 dhe 20 prill në seancë plenare të Parlamentit.
Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Marrëveshja për liberalizimin e vizave ishte arritur në dhjetor të vitit të kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.