Ambasadori Martin Berishaj duke raportuar para komisionit hetimor për krizën energjetike | Foto: Kallxo.com

Komisioni për krizën energjetike, ambasadori Martin Berishaj pyetet për raportimet në median sllovene

Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u Intervistuar Martin Berishaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci.

Kryetari i Komisionit Driton Selmanaj tha se arsyeja e ftesës ishte se janë ngritë disa çështje në media ndërkombëtare e vendore.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfolur në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci ka raportuar në komision, duke thënë se e ka paditur në Gjyqin e Qarkut ne Lubjane portalin me pretendimet se ka shpifur për të.

“Padia është në procedurë. Atë natë është përmend në Lubjane dhe kurrë më. Sepse janë bërë zgjedhjet. Më nuk janë marrë mediat me atë problem fare” – tha ai.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj e ka pyetur Berishajn nëse është i drejtor i MB Consulting në Podgoricë.

Berishaj tha se është kompani që e ka formuar në 2017 në Mal të Zi, dhe sipas tij nuk funksionon që nga 2020.

“Ajo është në mbyllje, nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon, nuk është mbyll fizikisht sepse procedura në Mal të Zi është e tillë. Kur jam bërë ambasador, nuk më ka ra as ndër mend të merrem me atë çështje” – u shpreh ambasadori Berishaj.

Më tej, Selmanaj e pyeti nëse Berishaj ka bashkëpunim me kompaninë Gen që merret me energjinë.

“Geni nuk ka asnjë lidhje. Ajo është firmë në 25 vende të botes. Është 100 për qind në pronën sllovene. Unë kam qenë aty si këshilltar. Unë i kam dhënë këshilla politike se çka duhet bërë. Nga 2019 dhe 2020 unë nuk kom bërë më kontratë. Për Ballkan ka qenë i përcaktuar Gen në Beograd. Çdo marrëveshje që është bërë me firmë është bërë në mënyrë transparente” – u shpreh Berishaj.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e pyeti nëse është takuar me kryeministrin Kurtin ose zyrtaret e qeverisë gjatë kësaj periudhe.

“Jo nuk kam pas komunikime që bahen me kryeministrin, kryetarin e parlamentit, kanë qenë në mënyrë protokollare, por as me gojë nuk kemi fol për atë çështje” – u shpreh ambasadori Martin Berishaj.

“Mjetet që kanë përfunduar në kompaninë e juaj, nga GEN që keni qenë këshilltar, a kanë përfunduar në fushatë” – e pyeti më pas deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Ambasadori Martin Berishaj tha se ato mjete nuk kanë përfunduar të asnjë parti politike në Kosovë.

“Ato mjete nuk kanë përfundua as te Kurti, as te Krasniqi, as te Abdixhiku, as të Ramush Haradinaj. Nuk janë investu dhe nuk kanë shku. Asnjë mjet nuk ka përfundu as në Slloveni e as në Kosovë. Po të kisha pas mundësi ju kisha ndihmu veteranëve e fukarave” – u shpreh Berishaj.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Agjencia Kundër Korrupsion ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Marin Berishaj. Që nga muaji prill i këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nis hetimet për Ambasadorin Berishaj.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.