Komisioni hetimor per telekomin - 2019-05-07

Komisioni për Hetimin e PTK-së në luftë kundër kohës

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka dilema nëse duhet ta hartojë draft-raportin për gjetjet e deritanishme dhe ta dërgojë në Kuvend për votim në ditën kur edhe do të shpërbëhet Kuvendi, apo ta lërë të gatshëm deri në krijimin e legjislaturës së re.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është që të hartohet raporti dhe të dërgohet në Kuvend për votim më 22 gusht, kur edhe do të mbahet seanca për shpërbërjen e Kuvendit.

Haxhiu ka deklaruar se është e gatshme për shkrimin e draftit me gjetjet se Komisionit, sidomos ato që janë mbledhur për kontratën e Telekomit të Kosovës me Z-Mobile.

“Është gjynah që puna që ka bërë Komisioni hetimor gjatë këtyre muajve të hedhet në baltë pasi nuk e dimë se si do të rrjedh mandati i ardhshëm. Nuk e dimë a do të ketë vullnet të njëjtë për më vazhdu punë dhe pastaj është shumë më e fuqishme që këto që kemi siguru me marrë një votimi apo përkrahjen e Kuvendit dhe të tjerat pastaj të shohim si do të shkojnë”, ka thënë Haxhiu në mbledhjen e Komisionit të datës 5 gusht.

Edhe anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se draft-raporti duhet të përfundohet para shpërbërjes së Kuvendit.

“Shumë e rëndësishme është që ne me përfundu raportin para datës 22 gusht, na duhet edhe ndihma e ekspertëve të Komisionit që ne me plotësu draft-raportin për këtë çka kemi punu deri sot, pastaj mbetet nën përgjegjësinë e Kuvendit të ri nëse do me i vazhdu hetimet në këtë temë”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj nuk e sheh si veprim të duhur votimin raportit në këtë legjislaturë.

“Nuk mund të votohet raporti pasi nëse votohet mbyllet krejt çështja hetimore”, potencoi Zemaj.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri tha se duhet të përgatitet draft-raporti dhe të lihet i gatshëm për legjislaturën e ardhshme. Për më shumë në lidhje me këtë dilemë, Ymeri ka thënë se do të sqarohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.

“Ne mund ta përgatisim si draft dhe ta lëmë të gatshëm për legjislativin e ardhshëm”, ka thënë Ymeri.

Kjo dilemë do të qartësohet nesër, kur edhe do të mbahet mbledhja e ardhshme e këtij Komisioni, me fillim nga ora 10:00.