Komisioni për Ekonomi, diskuton performancën e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit

Komisioni për Ekonomi, Industri dhe Ndërmarrësi, ka shqyrtuar planin e Performancës për vitin 2022 të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Zëvendës drejtori  i ARU-së Abedin Azizi tha se do të synojnë disa objektiva.

“Objektivë është bashkëpunimi ndër institucional për avancimin e sektorit të ujit”, tha ai.

Objektivë tjetër sipas tij është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar.

“Autoriteti është pjesë e rregullatorëve evropian. Merr pjesë në trajnimet të organizuara nga ky rregullator. Avancimi dhe zbatimi i kornizës ligjore është objektivë tjetër”, tha ai.

Armend Muja anëtar i komisionit nga LVV, tha se plani i performancës është mirë i strukturuar.

Ai tha se shpenzimet e stafit janë rritur vazhdimisht por shpërndarja e rrjetit të ujit ka qenë e ngadalshme.

Zëvendësdrejtori Azizi shtoi se ka humbje te ujit. Humbjet sipas tij janë rreth 55 për qind.

Besian Mustafa anëtar i komisionit nga LDK ka kërkuar të dijë se kur do të bien humbjet e ujit në zero.

“Kur do të bien humbjet e ujit në zero”, tha ai.

Azizi shtoi se do të ishte dëshira e madhe që këto humbje të bien në zero, por sipas tij është e pamundur. Ai tha se është mirë të vendosen disa caqe.

“Kosova është shumë më mire se Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Dëshira ime është që humbjet do të uleshin ideja jonë ka qenë të vëmë disa caqe”, shtoi ai.

Azizi tha se humbjet e ujit janë teknike dhe administrative për shkak jo vetëm vjedhjeve po edhe gabimeve të pajisjeve teknike.

Sa i përket mbulueshmërisë me shërbime të ujit dhe kanalizime, mbulueshmëria sipas tij është 78 për qind ndërsa me kanalizim është mbi 60 për qind.

Në mungesë të kuorumit, pas raportimit të Azizit, Komisioni i ka ndërprerë punimet.