Komisioni për Ekonomi diskuton për monopolin e Devollëve në energjinë solare
Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjikë në kuadër të mbledhjes së rregullt, sot ka diskutuar për hulumtimin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’, në të cilin u shpërfaqë mënyra se si Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRrE, kishte marrë vendim për caktimin e tarifave nxitëse, për energji solare.
Në këtë mbledhje të Komisionit, deputetja Mimoza Kusari- Lila, tha se duhet të merren parasysh gjetjet e këtij hulumtimi, ndërsa sipas saj, është shqetësuese se si Bordi i ZRrE-së është përgjigjur në lidhje me gjetjet e hulumtimit të emisionit ‘Jeta në Kosovë’.
“Ne si Kuvend e kemi obligim shkarkimin nëse gjejmë shkelje nga ana e Bordit të ZRrE-së. Arsyetimi i Bordit nuk qëndron, sepse Rregullatori ka të drejtë nga secila ndërmarrje të marrë informata. Obligim i yni është me pa se a ka shkelje. Unë mendoj se ky Komision duhet të propozojë shkarkimin e Bordit të ZRrE, nëse ka shkelje”, tha Kusari-Lila.
Ajo propozoI ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati u shpreh se duhet të ngritet një komision hetimor në lidhje me këtë çështje.
“Hulumtimi që po e trajtojmë është për licencat për disa kompani që në fund e kanë të njëjtin pronar. Kemi të bëjmë me çështjen se a është ndërmarrë ndonjë gjë nga ana e ZRrE-së. Nëse në atë kohë nuk e ka ditur, tash e din. Duhet të kemi komision hetimor”, tha Murati.
Ndërsa kryetari i Komisionit, Endrit Shala, tha se duhet të pritet verdikti nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit, nëse ka pasur ndonjë konflikt interesi dhe të pritet hetimi i prokurorisë.
“Përderisa Agjencioni Kundër Korrupsion nuk ka ende një përgjigje, çdo veprim i joni është tejkalim. Unë si deputet mendoj se çdo interferim i joni në këtë moment, nënkutpon që Komisioni interferon në punën e gjykatave. Në përgjigjen e ZRrE-së thuhet se nuk kanë kompetenca që të shikojnë pronarët e kompanive”, tha Shala.
Edhe anëtarët e tjerë të komisionit Pal Lekaj, Ferat Shala dhe Memli Krasniqi thanë se duhet të pritet verdikti i AKK-së the institucioneve të tjera, që më pas Komisioni të vazhdojë më procedurat e tjera, si rol mbikëqyrës që ka.
Në fund Komisioni mori vendim që në mbledhjen e ardhshme, të ftojë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE-në) që të raportojë në këtë Komision.
Pas hulumtimit të “Jeta në Kosovë”, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me vendimin e ZRRE-së, për tarifën nxitëse për prodhimin e 20 megavatëve shtesë energji diellore/solare.
Prokuroria Speciale hap dosje pas hulumtimit të “Jeta në Kosovë”