Komisioni për Buxhet pa vendim për përzgjedhjen e kandidatëve për guvernator të BQK-së

Komisioni për buxhet nuk ka arritur të marrë një vendim rreth listës së kandidatëve për guvernatorë pasi që deputetët nuk kanë marrë pjesë në votim.

Vetëm tre deputetë kanë votuar që lista e propozuar nga paneli përzgjedhës të i dërgohet Kuvendit në seancë, por ka qenë e pamjaftueshme për vendimmarrje.

Sot anëtarët e panelit përzgjedhës për kandidatët për guvernatorë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ishin ftuar në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, ku është diskutuar për listën që është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Por diskutimi për konkurs për guvernator të BQK-së u përcjell me kritika nga opozita.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku kishte thënë se ka konflikt interesi me njërin prej kandidatëve që është sjellë nga paneli përzgjedhës, pasi është edhe pjesë e bordit dhe ka kërkuar që komisioni t’i drejtohet Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Ndërkaq, Avdullah Hoti nga LDK-ja kishte akuzuar mazhorancën se i ka lënë pa udhëheqës të gjitha institucionet financiare, duke përmendur edhe Trustin, edhe BQK-në, të cilat nga nesër do të mbeten pa guvernator dhe se zëvendësguvernatori është ushtrues detyre.

Sipas Hotit, lista që është sjellë me emrat e 4 kandidatëve nuk i plotëson kushtet për të vazhduar në Kuvend.

Në pyetjen e deputetit të PDK-së, Ferat Shala, se kush do të udhëheqë me BQK, kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja kishte thënë se kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për pasdite nëse arrijnë ta mbajnë, për të diskutuar për këtë çështje.

Ndërkaq, Shala e kishte quajtur skandaloze përgjigjen e Nurbojës, se nuk e di se kush do ta udhëheqë BQK-në, ndërsa Shala ka pyetur se a do ta drejtojë BQK-në.

Shala më pas e kishte akuzuar Nurbojën se i gjithë procesi ishte inskenuar që ai të vinte në këtë pozitë.

“Me pas tendencë me qenë guvernator kisha aplikuar, e kam shkollimin, i kam kualifikimet nuk është korrekte kjo mënyrë, kush ka dëshirë me qenë u.d për një javë”, ka thënë Nurboja./dukagjini/