Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Komisioni për Buxhet nuk rekomandon tërheqjen nga Trusti prej 30%

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka rekomanduar miratimin e Projektligjit për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

Arsyetimet para deputetëve i ka dhënë kryetari i këtij komisioni, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Armend Muja.

“Komisioni e ka shqyrtuar projektligjin dhe të njëjtin nuk e ka rekomanduar për këto arsye: propozimi nënkupton tërheqjen e kursimeve pensionale, kursimi për pleqërinë në bazë të legjislacionit nuk është opsional, por është detyrim ligjor për secilin punëtor të Kosovës”, tha ai.


Muja tha se tërheqja prej 10% në të kaluarën ishte bërë për shkak të pandemisë, duke theksuar se edhe propozimi për 30% ka probleme sepse sipas tij, nuk ofron raport financiar.

“Në kohën kur por diskutohej tërheqja e parë, ishte justifikuar se bëhet 1 herë, se tërheqja është menduar si formë e rikthimit të fuqisë agregate dhe se 100 mijë vende të punës ishin afektuar nga pandemia. Tash kemi 2 propozime radhazi, fillimisht është detyrim që propozime të tilla duhet ta kenë një deklaratë të ndikimit ligjor, ne kur e kemi marrë këtë propozim nuk e ka asnjë specifik asnjë deklaratë se çfarë nënkupton ky projektligj”- tha ai.

Sipas Mujës, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kanë deklaruar se kjo tërheqje nuk e lufton inflacionin.

“Ky Kuvend e ka dhënë verdiktin gjatë vitit 2022 se nuk ka justifikime shtesë, në mungesë të detajeve sa i përket ndikimit buxhetor, unë kam ftuar BQK, bordin e Trustit për detaje, BQK ka argumentuar që ky projektligj nuk ndihmon në luftimin e inflacionit, përkundrazi e përkeqëson inflacionin në vend FMN, Banka Botërore, përfshirë edhe BE-në janë kundër”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha që deputeti Muja nuk mund të flasë në këtë mënyrë në emër të komisionit.

“Ai do të duhej të fliste në emër të komisionit, ato që i tha nuk janë qëndrime të komisionit, nuk mund të flas kështu në emër të Komisionit. Ky duhet të tërhiqet nga ai fjalim dhe ta respektoj foltoren”- tha Hoti.

Ndërsa Muja tha që ka paraqitur rekomandimin e komisionit, pastaj ka folur si deputet i Lëzijes Vetëvendosje (LVV).

Partitë opozitare janë deklaruar pro kësaj nisme, ndërsa Lëvizje Vetëvendosje, në vazhdimësi nuk e kanë mbështetur tërheqjen e 30% të mjeteve të trustit.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LVV-së është i qartë, ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30 % të Trustit”- u shpreh të hënën shefja e deputeteve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.