Komisioni për Buxhet miraton në parim projektligjin për pagën minimale

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Në diskutimet për projektligjin për pagën minimale, deputeti Mërgim Lushtaku ka thënë se nuk janë përfshirë tri kategori të qytetarëve, veteranët, të verbërit, personat parapelgjik dhe tetrapelgjik.

“Nuk janë përfshirë tri kategoritë, të verbërit, personat parapelgjik dhe tetrapelgjik dhe veteranët. Në këtë formë nuk do të keni mbështetjen tonë si parti opozitare”, tha Lushtaku.

“Nëse ju duket që këto tri kategori nuk kanë nevojë për rritje atëherë keni me pas pakënaqësi edhe nga ne edhe nga organizatat që i përfaqësojnë”, ka shtuar tutje ai.

Lidhur me këtë ministri i Financave Hekuran Murati tha se këto kategori Qeveria po i paguan dhe do të vazhdojë të paguajë ashtu siç janë paguar në të kaluarën.

“Te veteranët neni që parasheh ndërlidhjen e pagës së tyre dhe pagën minimale është fshirë. Është hera e parë me Qeverinë Kurti që veteranët janë mbështetur shtesë. Kjo ka ndodh në nëntor dhe tani. Këtu përfshi edhe personat në kategoritë tjera”, tha Murati.

Ndërsa deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti për projektligjin për paga tha se ai është bërë në mënyrë të anshme dhe pa dakordim me Këshillin Ekonomik Social.

“Ligji për Këshillin Ekonomik është i definuar. Nuk keni bazë ligjore. Nuk keni diskrediton ligjor. Ju mundeni me pas mospajtime me sindikatat por këto duhet të diskutohen dhe të shtyhet nëse ka nevojë”, tha tutje Hoti.

Tutje ministri Murati tha se miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore tij, hapë rrugë të dërgohet në qeveri në vlerën prej 264 euro paga minimale.

“Ideja është të rritet punësimi. Me shku prej 130 deri në 300 e 400 është e pamundshme sepse duhet koordinim edhe me punëdhënës sepse janë sektor privat. Nuk mund të lihen peng sektori privat. Synimi është që këta punëtorë me pagë minimale të mbështeten”, ka thënë tutje Murati.

Ky projektligj është miratuar me gjashtë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetët, Avdullah Hoti nga LDK dhe Mërgim Lushtaku nga PDK nuk kanë marrë pjesë në votimin e këtij projektligji dhe pikave tjera të rendit të ditës në mbledhjen e sotme.

Komisioni për financa ka miratuar në parim edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.