Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen për Sigurime Shoqërore mes Kosovës e Shqipërisë dhe atë të lehtësimit doganor

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka miratuar unanimisht dy projektligje që kanë dalur nga marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë u miratua unanimisht nga ky komision.

Hekuran Murati, ministër i Financave tha se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është sigurimi i mbrojtjes shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore te punës si dhe e drejta në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale (shtylla e dytë).

“Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë, do të ju mundësohet, që pas arritjes të moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë. Qytetarëve kosovarë, do të ju mundësohet e drejta për t`i bashkuar periudhat e kontributeve në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo në Shqipëri”, tha Murati.

Kosto administrative që rrjedh nga kjo marrëveshje sipas Muratit është 126 mijë e 44 euro që tashmë sipas tij është brenda ndarjeve buxhetore aktuale për vitin 2022.

Avdullah Hoti deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se e mbështesin këtë marrëveshje.

Ai ka kërkuar sqarime për implikimet financiare.

“Cila është kostoja e plotë për zbatimin e marrëveshjes”, tha Hoti.

Murati nuk dha përgjigje të kostos së plotë duke thënë se përveç kostos administrative, kosto e plotë është në kuadër të buxhetimit që bëhet për këto skema.

Deputetët opozitar vlerësuan se ministri nuk ishte i përgatitur për këtë projektligj.

“Unë nuk morra përgjigje nga kjo që po i thu. Duhet të jeni në gjendje të jepni sqarime sidomos për kostot”, ka thënë Hoti.

Edhe deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se ministri nuk ishte i përgatitur.

“Nuk je i përgatitur nuk e ki as draft marrëveshjen e cila do të ratifikohet në Kuvend, nuk e ke as ekipin”, tha ai.

Ministri Murati tha se nëse kanë çështje teknike ti dërgojnë çështjet me shkrim.

“Për çështje teknike mund tu aresojmë edhe përgjigjje me shkrim”, tha ai.

Komisioni unanimisht e ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.

Hekuran Murati tha se kjo marrëveshje ka për qëllim zbatimin e lehtësirave dhe thjeshtimeve në procedurat doganore dhe zvogëlimin e kohës së pritjen në pikat e kalimit kufitar Kosovë – Shqipëri.

Murati tha se me këtë marrëveshje do të bëhet vendosja e zyrës doganore e Kosovës në zonën e Durrësit në porto romano.

Sa i përket kostos financiare, shuma totale sipas tij është për tri vitet e ardhshme 243 mijë e 541 euro.