Komisioni për Buxhet i miraton emrat e kandidatëve për anëtar të KRPP-së

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se dy kandidatët e propozuar për anëtar të KRPP-së nga Qeveria janë: Avni Sahiti-anëtar dhe Fidane Spahija Gjikolli-anëtare.

Muja ka sqaruar se Komisioni më 18 mars e ka shqyrtuar propozimin dhe se kanë kërkuar sqarime nga Qeveria për CV-në e kandidates Fidane Spahija Gjikolli.

Sipas Mujës kriteret e konkursit për kandidatët janë: të ketë diplomë Universitare dhe së paku 5 vjet përvojë pune në fushën e financave publike dhe në fushën e prokurimit.

Muja shtoi se financat publike dhe prokurimi publik studiohen ndaras.

Kandidatja Fidane Spahija gjikolli sipas Mujës e ka përvojën akademike dhe profesionale.

Kurse Avni Sahiti sipas Mujës e ka përvojen e drejtperdrejtë në prokurimin publik.

“Propozoj që i njëjti te dërgohet në seancë me vërejtjet që i kemi ne”, tha Muja.

Avdullah Hoti anëtar i komisionit nga LDK tha se kandidatja Spahiu Gjikolli  nuk i plotëson fare kushtet nuk ka përvojë në financa publike dhe prokurim publik.

Mërgim Lushtaku, zëvendëskryetar i parë i komisionit tha se “Është për keqardhje pse nuk i prezanton qeveria emrat që vet i ka propozuar”.

Pal Lekaj anëtar nga AAK tha se asnjëri kandidat nuk i plotëson kushtet ligjore dhe ka kërkuar që emrat të kthehen në Qeveri.

“Asnjëri nuk i përmbushin kushtet e kërkuara me ligj. Propozoj mi kthy prapa te Qeveria.

Nuk kisha than mi qit në votim”, tha Lekaj.

Komisioni për Buxhet e ka miratuar këtë shqyrtim duke rekomanduar Kuvendit propozimin me vërejtje.

Gjithashtu Komisioni ka kërkuar opinion ligjor nga Kuvendi.

“Propozimet i drejtohen seancës me gjitha vërejtjet”, tha Muja.

Muja shtoi se Kuvendit duhet t’ia paraqesin një raport me rekomandime.

Sipas Mujës anëtarët zgjedhën me mandat 5 vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Edhe në mbledhjen e kaluar të Komisioni për Buxhet është diskutuar për kandidatët për anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, por kjo pikë ishte shtyrë për të kërkuar informacione shtesë nga Qeveria për kandidaten Fidane Spahija Gjikolli.

Komisioni s’e voton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të KRPP-së, kërkon sqarime rreth CV-ve