Komisioni për arsim dërgon në Kuvend projektligjin për arkivat shtetërore

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport është votuar projektligji për arkivat shtetërore.

Me tri abstenime dhe gjashtë vota për, ky projektligj do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e opozitës kundërshtuan që ky projektligj të jetë në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, kërkoi që arkivat shtetërore të jenë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Nuk e kam për me e kundërshtu, por do të ishte mirë me e kthy tek Zyra e Kryeministrit”, ka thënë Kastrati.

Të njëjtin mendim ka ndarë edhe deputetja Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Duke pas parasysh peshën e Agjencionit, duke pas parasysh rëndësinë e ligjit, nëse duhet të jemi serioz duhet të jetë në kuadër të kryeministrisë”, është shprehur ajo.

Ndërsa deputetja Arjeta Fejza nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se më e rëndësishme është përmbajtja e projektligjit.

“Kushtet me të cilat funksionon kjo agjenci vërtet nuk janë të mira”, ka thënë Fejza.