Komisioni Parlamentar shqyrton shkresën drejtuar BE-së me kërkesë liberalizimin e vizave për Kosovën

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme është mbledhur sot për ta shqyrtuar një kërkesë që po planifikojnë ta drejtojnë tek vendet e Bashkimit  Europian për t’u kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kryetarja e Komisionit Time Kadrijaj tha se kanë pritur nga gjithë deputetët që ta shikojnë atë shkresë dhe të japin komente.

“Me qenë se nuk keni dhënë komente mendoj që duhet me procedu më tutje dhe ta dërgojmë në departamentin për punë të jashtme dhe ta dërgojmë këtë shkresë pranë vendeve anëtare të BE për përkrahje për liberalizim të shtetit të Kosovës”, tha ajo.

Sa i përkes pikës së dytë për shqyrtimin e draftplanit të punës së komisionit për vitin 2020, komisioni ka vendosur që kjo pikë të shqyrtohet kur janë prezent të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike pasi sipas kryetares grupi i LDK-së dhe PDK-së mungon.

“Nuk kemi përfaqësues të LDK dhe PDK, LDK kanë dhënë arsyje shkaku i gjendjes me COVID-19”, tha ajo.

Ndërsa deputetja e LVV-së Fitore Pacolli ka pasur dy kërkesa, e para për të ftuar ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj – Stublla në komision për të raportuar punën e saj nga marrja e mandatit si dhe kërkesën për ta formuar grupin punues për rishikimin e zbatimit të ligjit për shërrbimin e jashtëm.

Gjatë kësaj mbledhje kryetarja e komisionit ka përmendur edhe mbajtjen e mbledhjeve online. Ajo pret që në të ardhmen t’i mbajnë mbledhjet përmes platformës zoom, për të mos mbetur prapa me temat e komisionit.