Komisioni Parlamentar për Ekonomi vendos për organizimin e një debati për barrierat tregtare

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka vendosur që së bashku me Instituti Demokratik të Kosovës të organizojnë një debat publik për barrierat tregtare Kosovë-Serbi.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi tha që në këtë debat duhet të jetë edhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

“Kërkesa është për organizimin e një debati për barrierat ekonomike Kosovë-Serbi. Unë parimisht jam për organizimin e një debati të tillë, me i pa sfidat, dhe pse jo të shkëmbejmë përvoja dhe praktike nga KDI. Përveç akterevë ekonomik dhe odave, do të duhej që në këtë debat të jetë edhe ministrja. Një debat i tillë i ndihmon qasjes dhe njohjes me të vërtetën”, tha ai.

Shala kërkoi që ky debat të organizohet brenda këtij muaji.

“Ne po i bëjmë ftesë që në një periudhë brenda 15 dite të bashkohet në debat me komisionin dhe odat ekonomike. Ne këtu jemi brenda ligjit, rregullores dhe nevojave që i ka ekonomia. Ne do të jemi në dispozicion, përjashto ditëve të marte kur jemi në takime të rregullta”, tha ai.

Armend Muja, deputet nga Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kërkoi që debat të organizohet për mbajtjes së zgjedhjeve.

“Unë propozoj që ky debat të mbahet në një kontekst jashtë zgjedhjeve lokale”, tha ai.

Pal Lekaj, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha që një debat i tillë është i domosdoshëm.

“Mendoj që debati është i domosdoshëm, komisioni për ekonomi është i rëndësisë së veçantë dhe çfarëdo vendimi që merr qeveria  ne si komision duhet ta trajtojmë. Sepse kemi pa që kurrë kemi marrë vendime, për shkak të presionit të madh, kemi pa që dy qeveri janë shkarkuar. Presioni ndërkombëtar më tepër po ndikon ne politikat e brendshme të Kosovës sesa tek Serbia, kur jemi te reciprociteti”

Lekaj kritikoi ministren Hajdari e cila sipas tij, ka 4 javë që nuk ka ardhur për të raportuar në komision.

“Meqë janë paralajmëruar barriera nga qeveria e Kosovës mirë është me bo një debat, dhe ne nuk e lusim qeverinë, qeveria është e obliguar t’i raportoj parlamentit. Kjo qeveri është e Kosovës, votat i ka marrë nga parlamenti dhe duhet përgjigjet, nuk mund të na injoroj pafundësisht”, tha ai.