Mbledhja e Komisionit për punë të jashtme, 25 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Komisioni parlamentar e miraton projektligjin për marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi rreth BE-së

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër Projektligjit për marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e aderimit në Bashkimin Evropian.

Prezantimin para anëtarëve të komisionit e bëri kryetari i Komisionit, Haki Abazi.

“Projektligji në fjalë i është proceduar për shqyrtim Kuvendit dhe i është shpërndarë deputetëve më 17 janar. Projektligji përmban 3 nene dhe mund të propozojmë ndonjë amendament nëse ka nevojë”, tha Abazi.

Sipas Abazit ky projektligj do të intensifikojë bashkëpunimin mes dy qeverive.

“Marrëveshja që do të ratifikohet ka për qëllim që Kosova dhe Mali i Zi të kenë objektivë anëtarësimin në BE. Të dy qeveritë do të intensifikojnë dialogun politik, përmes dy ministrive të Punëve të jashtme ose ministrive përkatëse. Që dy qeveritë do të inkurajojnë bashkëpunimin midis parlamenteve të tyre si dhe ministrive përkatëse që kanë të bëjnë më integrimin evropian”, tha ai.

Gazmend Gjyshinca anëtar i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) përmendi tri arsye përse duhet të miratohet ky projektligj.

“Sot do të duhej që ishte e rrugës që ta miratonim, për shkak që është rekomanduar nga qeveria, edhe nëse kalon në kuvend dhe komision marrëveshja nuk ka kosto financiare, si dhe për shkak të karakterit të kësaj marrëveshje, e cila mëton me standardazuar legjislacionin me Aqui Comunitare për të dy vendet” , tha ai.

Komisioni po ashtu në këtë mbledhje u dakordua që me 1 shkurt sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të mbahet dëgjimi për tre kandidatët për ambasadorë.