Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Komisioni nuk e trajton rastin e deputetit të dënuar, e lë në dorë të Vjosa Osmanit

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, që është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate e Imunitete ka folur pas mbledhjes së komisionit parlamentar ku u shqyrtuan kërkesa e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani për rastin e deputetit Etem Arifi i cili ka aktgjykim të formës së prerë me dënim më shumë se 1 vit si dhe një kërkesë të deputetit Behgjet Pacolli.

Selmanaj ka deklaruar se ata nuk e kanë trajtuar kërkesën e kryetares së Kuvendit, për shkak se sipas tij, kjo çështje nuk është në kompetencë të komisionit.

“Ne si komision normalisht nuk trajtojmë në procedura parlamentare çështjet e përfunduara gjyqësore. Ato janë çështje të qarta me ligje dhe me Kushtetutë. Ne si Komision, vendosëm t’i japim përgjigje kryetares së Kuvendit, ku i thamë respekto ligjet, respekto Kushtetutën dhe vepro në bazë të mandatit që e keni”, tha pas mbledhjes deputeti Selmanaj.

Tutje, deputeti Selmanaj ka shpjeguar procedurat që sipas tij duhet të ndiqen në rastin e deputetit Arifi.

“Praktikat e mëhershme janë që kur të ka aktgjykim të formës së prerë për një deputet, atëherë janë proceduarat që kryetarja e Kuvendit komunikon me Presidentin, e Presidenti pastaj me KQZ-në, e KQZ-ja pastaj de-certifikon kandidatin dhe e sjellë kandidatin tjetër. Kjo është cështje e rregulluar, nuk është kompetencë e jona”, tha tutje ai.

Deputeti që duhej të ishte në burg votoi për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Në anën tjetër, ky komision ka trajtuar edhe një kërkesë të deputetit Behgjet Pacolli. Ky i fundit i ishte drejtuar komisionit për t’i interpretuar detyrat dhe funksionet e deputetit si dhe pengimin në kryerjen e detyrave kushtetuese.

Selmanaj tha, se komisioni u bën thirrje institucioneve që të mos pengojnë kryerjen e punëve të deputetit Behgjet Pacolli.

“Ne e dhamë vlerësimin tonë dhe i bëmë thirrje të gjitha institucioneve në Kosovë që të bëjnë veprimet e tyre që të lejojnë dhe mundësojnë ushtrimin e mandatit të deputetit, në këtë rast z.Pacolli. Ne nuk paragjykojmë dhe nuk kemi parasysh ndonjë institucion të veçantë, por të gjitha institucionet, qoftë edhe ato shëndetësore. Por, z.Pacolli dhe të gjithë deputetëve të tjerë duhet t’i mundësohet ushtrimi i mandatit të tij”, u shprehë ai.

Rasti i deputetit Pacolli ishte bërë temë diskutimi për disa ditë, pasi që i njëjti ishte me qëndrim në Zvicër, kur kishte paralajmëruar se do të vinte në Kosovë.

Atij u ishte kërkuar që në rast se hynë në Kosovë, është i obliguar të hyjë në karantinë në qendrën e studentëve.

Një kalim i kufrit nga ana e presidentin Hashim Thaci për në Shqipëri, kishte ngjallur dyshime dhe tek ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se deputeti Pacolli mund të ketë hyrë në Kosovë bashkë me presidentin e vendit.

Sveçla përmes një konferencë për media kishte deklaruar se në rast se Pacolli shihet në Kosovë, do të merreshin masa ndaj tij, duke nënkutpuar arrestimin.

Pacolli, pas pak ditësh kishte aterruar në Kosovë, dhe ishte karantinuar në shtëpinë e tij në Hajvali, për t’u larguar 5 ditë më vonë drejt Zvicrës, atëherë kur Gjykata Kushtetuese i vendosi masë të përkohshme dekretit të Presidentit Thaçi për votimin e kabinetit qeveritar të Avdullah Hotit.