Komisioni miraton Projektligjin për amandamentimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në FMN
Komisioni Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për amandamentimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se amandamentimi krijon fleksibilitet dhe rritje të mundësive.
“Bëhet fjalë për një amandamentim të ligjit origjinal, i cili i lejon qeverisë për pranimin e rezolutës për ndryshimin e marrëveshjes. Ndryshimi lidhet me rritjen e fleksibilitetit dhe mundësive dhe zgjerohet hapësira e veprimit” – tha Murati.
Në këtë mbledhje, Komisioni për Buxhet ka miratuar edhe ratifikimin e marrëveshjes për kredi në mes të Kosovës dhe Bankës Europiane për Investime, për parkun solar në Korporatërn Energjetike të Kosovës (KEK).
“Bëhet fjalë për parkun solar në KEK dhe që e ka koston rreth 104 milionë euro. Kredia parashihet të disbursohet me 8 këste. Data e ripagimit do të jetë jo më herët se katër vite dhe jo më vonë se 25 vite” – bëri të ditur ministri Murati.
Sipas tij, projekti do të zbatohet nga KEK-u.
Në lidhje me këtë investim, deputeti Avdullah Hoti (LDK) ka pyetur se a do të ketë implikime në tarifat e energjisë elektrike.
Ndërsa Murati tha se investimj mund të ndikojë në tarifa më të ulëta të energjisë.
“KEKu do të prodhojë energji dhe do të futet në rrjet 152 gigavatë orë. Në vend që të reflektojë 147 euro nga importi, do të reflektohet 100 euro nga prodhimi vendorë dhe kjo mund të reflektojë në tarifa më të ulëta”.