Komisioni miraton Projekt-kodin e procedurës penale: Çështja e gjykimit në mungesë do të vlej për të gjitha veprat penale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marr pjesë në Komisionin për Legjislacion për shqyrtimin në parim të Projekt-kodit të procedurës penale.

Haxhiu tha se prej kur e kanë marr mandatin kanë analizuar të gjitha projektligjet. Sipas saj kanë pasur nëntë projektligje të gatshme për procedim.

Por, këtë projektligj Haxhiu tha se nuk kanë mundur ta procedojnë menjëherë pasi nuk kanë pasur pajtueshmëri.

Haxhiu ka prezantuar disa ndryshime.

“Çështja e gjykimit në mungesë do të vlejë për të gjitha veprat penale jo vetëm ato për krimet e luftës. Gjykimet në mungesë do të vlejë për gjitha veprat penale”, tha ajo.

Haxhiu tha se ky është obligim i përmbushur që lidhet me agjendën evropiane të reformave.

Haxhiu gjithashtu ka thënë se afati i hetimeve ka qenë 4 vite ashtu siç e kanë gjetur në draftin e përgatitur. Sipas saj aktualisht është vlerësuar që 4 vjet janë shumë.

“Ne kemi vlerësuar se është afat shumë i gjatë 4 vite e kemi bërë dy vite siç është aktualisht. Në rastet e natyrës komplekse dhe të ndjeshme gjykata ka të drejtë ti jap edhe një vit shtesë”, tha Haxhiu.

Driton Selmanaj anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komision ka kërkuar sqarim për rishikimin e kapitullit të konfiskimit.

Haxhiu tha se e kanë rishikuar kapitullin e konfiskimit.

Kurse Blerta Deliu Kodra, nga Partia Demokratike e Kosovës tha se e mirëpresin këtë projekt kod, ndërsa konsideron që është i vonuar dhe është dashur të vijë më herët në Kuvend.

Të gjithë anëtarët e këtij komisioni kanë votuar për Projekt-kodin e procedurës penale.

Komisioni ka miratuar në parim edhe Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale.