Komisioni i Venecias jep rekomandime shtesë për Ligjin për Këshillin Prokurorial

Në dhjetor të vitit 2021, Komisioni i Venecias, me kërkesë të ministres së Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiut, miratoi opinionin për projekt-amandamentet e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës – KPK.

Pas opinionit të dhjetorit të Komisionit të Venecias, Ministria e Drejtësisë i rishikoi projekt-amendamentet dhe i adresoi rekomandimet e Komisionit dhe më datë 25 shkurt 2022, iu drejtua Komisionit të Venecias për t’i pyetur nëse projekt-amendamentet e rishikuara i zbatonin rekomandimet kryesore të opinionit të dhjetorit.

Komisoni i Venecias në mbledhjen e 130 e miratoi opinionin lidhur me përbërjen e re të KPK-së (ku prokurorët e zgjedhur nga kolegët e tyre përfaqësojnë tre nga shtatë anëtarë, ku dy anëtarë porotë zgjidhen nga Kuvendi, një anëtar porotë emërohet nga Avokati i Popullit si Kryeprokurori është anëtar sipas detyrës zyrtare), duke ardhur në përfundime se një përbërje e tillë nuk cenon standardet ndërkombëtare.

Sipas këtij opinioni, më e rëndësishmja është se drafti i rishikuar trajton shqetësimin kryesor të opinionit të dhjetorit në lidhje me dispozitat kalimtare, të cilat fillimisht parashikonin zëvendësimin e të gjithë anëtarëve aktualisht në detyrë dhe mundësinë që një “KPK e reformuar” (e përbërë vetëm nga anëtarë porotë) të ketë kompetencat e plota të KPK-së.

Sipas opinionit të dalë nga mbledhjet e mbajtura më 18 dhe 19 mars 2022, drafti i rishikuar i ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, lejon që tre nga 9 anëtarët aktualë të prokurorisë të mbajnë mandatin e tyre, gjë që është shumë më mirë se një zëvendësim i plotë i përbërjes së tyre, gjë e cila e hedh poshtë idenë e një “KPK-je të reformuar”.

Megjithëse, sipas opinionit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e fundit të bëra në këtë ligj e paraqesin qartë progresin krahasuar me draft-amendamentet origjinale, të analizuara në opinionin e dhjetorit, përkundër kësaj sipas opinionit të fundit të Komisionit, ka ende hapësirë për përmirësime.

Në opinionin e fundit, Komisioni i Venecias ka dal me rekomandimet shtesë si më mëposhtme:

  • Për të përjashtuar ndikimin e mundshëm të padrejtë të kryeprokurorit mbi anëtarët e tjerë prokurorë në KPK, ligji duhet të bëjë të qartë se anëtarët e prokurorisë ulen në KPK në cilësinë e tyre personale dhe se kryeprokurori nuk mund të përdorë kompetencat e tij/saj të eprorit të tyre hierarkik, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për të ndikuar në punën e tyre në këtë organ;
  • “Vizioni” nuk duhet të jetë në listën e kritereve të përdorura nga Komiteti i ngarkuar me përzgjedhjen e anëtarëve porotë;
  • Ligji mund të parashikojë masa mbrojtëse procedurale duke e bërë më objektiv procesin e përzgjedhjes së anëtarëve porotë: pjesëmarrjen e ekspertëve, arsyetimin;
  • Ligji duhet të përshkruajë më qartë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të prokurorëve nga komuniteti prokuror (ndoshta duke futur një formë të votimit preferencial);
  • Duhet të qartësohet edhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve porotë; në veçanti, ndërsa Komisioni mund të filtrojë disa kandidatë që nuk gëzojnë mbështetje të mjaftueshme në mënyrë që t’i sigurojë Kuvendit një listë të gjatë të kandidatëve të pranueshëm për të zgjedhur.

Në fund të këtij opinioni, Komisioni i Venecias e bënë të qartë se zbatimi i rekomandimeve të përfshira në opinionet e Komisionit duhet të lihet në diskrecion të plotë të Ministrisë dhe Kuvendit, në dialog me palët e interesuara kombëtare, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, duke theksuar fakti se Komisioni i Venecias qëndron në dispozicion të autoriteteve të Kosovës për ndihmë të mëtutjeshme në këtë çështje.

Më poshtë mund të gjeni opinionin e dhjetorit të Komisionit të Venecias dhe rekomandimet e dhëna.

Komisioni i Venecias: Zgjedhja e anëtarëve të KPK-së nga Kuvendi nuk është në kundërshtim me standardet evropiane