Komisioni i Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të burgosurve nuk kanë as telefonë në zyret e tyre

Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik kanë raportuar para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, për gjendjen e aplikimeve dhe njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik.

Përveç pasqyrimit të raportit vjetor të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik janë bërë të ditura edhe kushtet dhe vështirësitë e punës me të cilat përballet ky komision.

“Neve na mungon edhe telefoni zyrtar, që dy vjet ministri e Drejtësisë i ka ndërpre telefonat zyrtarë. Ne si komision nuk kemi mandatar, andaj ne kërkojmë donacione prej qytetarëve ose paguajnë vetë edhe ndodhë telefonin edhe tonerin i blejmë vetë, letrën e blejmë vetë, plus rrogat i marrim për 12 muaj në fund të vitit, gjithë vitin punojmë pa pare”, ka thënë Naime Sherifi, zyrtare e komisionit qeveritar për kompensimin e ish të dënuarave politik.

Deputetja Donika Kada-Bujipi a ka përshkruar vështërsitë me të cilat përballet ky komision dhe e ka krahasuar me burg.

“Nëse shkoni edhe vetë me pa, veq kanë vullnet të hekurt se aty me kalu një orë në ditë është problem, komplet materiali, follderët, gjithçka mungon prej sendeve higjienike, deri tek ambienti, është si me shku në burg”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Isak Shabani, kryetari i Komsionit për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik ka bërë të ditur numrin e personave të cilët kanë aplikuar deri tani.

“Në bazë të dhënave të grumbulluara nga aplikacionet e deponuara në sekretarin e komisionit qeveritar nga 10 mijë e 402 aplikacione deri sot 2,901 aplikues, ish të burgosur politik janë kompensuar, 2,850 aplikues presin në radhë për t’u kompensuar”, ka thënë Shabani.

Në anën tjetër deputetja, Teuta Haxhiu ka paraqitur rastin e një personin të cilit i është refuzuar aplikacioni i tij.

“Unë po përmend një rast që dy vite ka bë ankesë tek ju, është Ylber Alija, që ka pas rast të rëndë, gruan që fatkeqësisht sot nuk e ka më, iu ka bë shkresë ka kërku edhe nuk është kompensu asnjëherë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Shefik Sadiku, sekretari Komsionit për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik shpjeguar se si bëhet pranimi i dokumenteve dhe ka bërë të ditur se tash e një kohë komisioni është duke vepruar pa mjekë.

“Për informimin tuaj në komision i sjellin dokumente shëndetësore edhe aplikuesi nëse e sjell dokumentin dhe e bind, kemi pas një mjek që ka punu vullnetarisht, mirëpo komisioni nuk ka ndonjë mjek dhe të gjitha kërkesat, rastet shëndetësore që vijnë i shikojnë anëtaret e komisionit. Përparësi kanë pasur vetëm gratë, përparësi kanë rastet e rënda shëndetësore 10%,  10% hyjnë rastet sociale, 10% të moshuarit”, ka thënë Sadiku.

Kryesuesja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje dhe anëtaret e tjera të Komisionit kanë kërkuar që ankesat e Komisionit për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik të bëhen me shkrim.

“Të lutem me shkrim na përcjell për kushtet e nevojshme për një funksionim normal”, ka thënë Balje.