Komisioni i kërkon IKShPK-së raporte të detajuara për komunat, Ramadani ankohet për pengim në punën e Institutit gjatë pandemisë

Në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19 janë duke raportuar përfaqësues të Institucioneve Shëndetësore.

Albena Reshitaj si kryetare e komisionit ka kërkuar nga Instituti dhe Ministria të dërgojnë detaje dhe raporte rreth numrit të testimit, të të infektuarve dhe të të vdekurve nëpër komunat e Kosovës.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se kërkesat për raporte të tilla janë pengesë në punën e Institutit për shkak të kapaciteteve humane dhe kohës së limituar në menaxhim të pandemisë.

“Ne jemi në pandemi dhe kërkesat për raporte janë pengim i punës së IKSHPK-së”, ka thënë Ramadani, duke kërkuar profesionalizëm nga deputetët dhe jo të merren me informata që qarkullojnë në internet.

Anëtarja e komisionit, Albena Reshitaj, ka kërkuar informata nga ministri Armend Zemaj rreth furnizimit të spitaleve me oksigjen.

Gjithashtu Reshitaj ka kërkuar nëse Ministria rreth pagesave për disa kategori të punëtorëve shëndetësorë.

“Ne si komision kemi mungesë të dhënash andaj kërkojmë nga administrata juaj të na dërgojë të dhënat për secilën komunë se sa është numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve. Jemi në fund të vitit dhe karakterizohet me lëvizje më të mëdha. Do të ishte mirë të flisnit se cilat do të jenë rrugët që do të punohet. A do të ketë kufij të hapur për diasporën. Preokupimi tjetër është mospërfshirja në pagat shtesë për disa kategori. A pritet edhe këta të përfshihen? Këto kategori po punojnë pandërprerë në këtë kohë. Çështje tjetër është aspekti epidemik në vend. Në Angli është shënuar një variant i ri i virusit. Ministër a janë bërë hulumtime dhe a janë evidentuar rastet në Kosovë. Me datën 11 nëntor SHSKUK ka njoftuar se komiteti ka vendosur të pezulloj punën në ambulancat specialistike në QKUK. Si erdhi deri te ky vendim. Ku gjendemi sa i përket vaksinën anti-covid, kur do të vijë në Kosovë?”, ka pyetur ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19.

Sipas Zemajt, situata është nën kontroll me numrin e të infektuarve dhe përhapjes së pandemisë, ndërsa ka thënë se është shqetësuese numri i vdekjeve nga COVID-19.

Gjithashtu, Zemaj ka thënë se sfiduese mbetet furnizimi me oksigjen i klinikave ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Zemaj: Sfidues mbetet furnizimi me oksigjen në klinikat me pacientë me COVID-19