Komisioni i Financave Publike shqyrtoi pasqyrat financiare të SHSKUK-së, drejtori ankohet për ikjen e mjekëve

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike sot ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës për  vitin 2021.

Në këtë Komision ka raportuar drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili tha se ky institucion tashmë ka përgatitur një plan të punës dhe se dy nga gjetjet tashmë janë adresuar.

Krasniqi para deputetëve tha gjithashtu se në lidhje me këto gjetje SHSKUK do të bëjë më të mirën në mënyrë që këto gjetje të mos përsëriten në raportin e ardhshëm.

“Ky raport dallon shumë nga raporti i vitit të kaluar, janë përsëritur vetëm tri gjetje. Çështjet B1 dhe B2 janë adresuar, çështja A1 janë disa fatura të viteve të shkuara, vetëm dy fatura janë të vitit 2020. Gabimet e faturave në aktivitetet paraprake dhe nuk janë të lidhura me kohën e menaxhmentit aktual dhe menaxhimit nga unë. Spitalet e tjera kanë drejtorët e tyre, zyrat e prokurimit, zyrat ligjore të vetat. Ne tashmë kemi bërë reformë dhe të gjitha spitalet i kanë drejtorët e rinj”, tha Krasniqi para deputetëve.

Krasniqi gjithashtu dha edhe informacione të tjera sa i përket menaxhimit nga ana e tij duke shtuar se një ndër problemet kryesore tashmë është edhe numri i të punësuarve, i cili nuk është rritur që nga viti 2019.

“7,438 të punësuar që nga viti 2019 për secilin vit veç e veç, numri i të punësuarve nuk është rritur asnjëherë ndonëse kemi funksionalizuar klinika të reja dhe shërbime të reja. Kemi nevojë shumë edhe për staf administrativ”, tha Krasniqi.

Ndonëse u shpreh se ky institucion ka nevojë për të rritur numrin e të punësuarve, Krasniqi tha gjithashtu se janë larguar një numër i madh i mjekëve dhe jo vetëm jashtë shtetit.

Janë larguar së paku 4 pediatër nga Klinika e Pediatrisë dhe jo mjekë të sapodiplomuar, por mjekë me shumë përvojë, ndërkohë që ne e kemi hapur një klinikë të re të Pediatrisë. Për shkak të mungesës së stafit kemi reparte të tëra që rrezikojnë të mbyllen nëpër spitalet e përgjithshme. Kemi nevojë edhe për ngritje të shërbimeve administrative përveç për mjekë”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi po ashtu bëri të ditur se Mjekësia Sportive është bartur në QKUK në Klinikën që sapo është funksionalizuar.

“Mjekësia Sportive tashmë është bartur nga Pallati i Rinisë në Klinikën e Mjekësisë Sportive në QKUK dhe tashmë ne si institucion nuk do të paguajmë qira”, tha Krasniqi para deputetëve.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës sot ka bërë të ditur se bordi drejtues në mbledhjen e sotme ka miratuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK, Valbon Krasniqi.

Sipas njoftimit, u.d. të drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, është emëruar Pranvera Zejnullahu-Raçi.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së me këtë rast duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të Dr. Krasniqit e falënderon për bashkëpunimin e treguar”, thuhet në njoftimin e publikuar nga SHSKUK.

Jep dorëheqje drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi