KRU Hidrodrini, Foto: Facebook
Komisioni i Auditimit reagon pas vendimit të Qeverisë për shkarkimin e Bordit te drejtorëve të ‘KRU Hidrodrini’
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike – Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini Sh. A. Pejë” në mbledhjen e mbajtur më datë 14.08.2024.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Komisioni i Auditimit, duke thënë se shkarkimi ka ndodhur si hakmarrje ndaj Bordit, pasi ky Bord ka shkarkuar nga pozita Kryeshefin ekzekutiv, Dri Cena.
Sipas Komisionit të Auditimit, dy ministrat e qeverisë Kurti, Artane Rizvanolli dhe Elbert Krasniqi kanë raporte miqësore me Cenën.
“Kryeshefi kishte marre fuqi që nga fillimi nga dy ministrat e kësaj qeverie: A. Rizvanolli dhe E. Krasniqi me të cilët ka raporte të ngushta miqësore. Arsyet dhe interesat eventuale në mes tyre mbeten për t’u demaskuar në të ardhmen nga hetimet gjegjëse. Siç duket, ministrave në fjalë nuk i pëlqeu shkarkimi dhe denoncimi i “njëanshëm” i bërë ndaj krye shefit të preferuar, prandaj dhe morën hak duke i propozuar qeverisë shkarkimin e bordit. Me përgjegjësi të plotë morale dhe materiale deklarojmë se kjo është arseja e vetme e shkarkimit dhe asnjë nga ato të përmendura në arsyetimin e ministres nuk qëndrojnë”- thuhet në reagim.
Sipas këtij reagimi, për të gjitha shkeljet e kryeshefit është njoftuar vazhdimisht Ministria e Ekonomisë.
“Më 13 mars 2024, ministrja pati kërkuar nga bordi që të bashkëpunojë me kryeshefin, nënvlerësoj vërejtjet tona dhe e paralajmëroi shkarkimin e Bordit nëse ai nuk reflekton. Ne kishim marrë besimin e qeverisë mbi premisën për të reduktuar humbjet e ujit, për t’i dal përballë keqpërdorimeve, krimit, korrupsionit, nepotizmit e nën objektivin për ta zhvilluar ndërmarrjen, e që ishte edhe moto qeverisëse e kësaj qeverie. I qëndruam besnik kësaj kauze për 18 muaj sa ishim ne rolin mbikëqyrës, por nuk mund te vazhdonim me tolerance ndaj autokracisë, mashtrimit d e abuzimit” – thuhet në reagimin për media.
Në mbledhje që Qeverisë u tha se shkarkimi i Bordit erdhi pas propozimit të Ministrisë së Ekonomisë për shkak të veprimeve që vënë në pikëpyetje besueshmërinë e vendimmarrjes.
Pas shkarkimit të këtij bordi, u emërua bordi i përkohshëm i drejtorëve i përbërë nga: Qendresa Kukaj, kryesuese; Mirjeta Heta, anëtare; Samir Lleshi, anëtar dhe Noli Carrabregu, anëtar.
Më 31.07.2024, Bordi i drejtorëve të KRU “Hidrodrini” kishte shkarkuar Dri Cenën nga pozita e kryeshefit ekzekutiv.
KALLXO.com ka kontaktuar me Cenën i cili tha se arsyetimet e shkarkimit nuk qëndrojnë.
“Nuk janë të vërteta, janë të pabaza krejt ato sa i përket të kundërligjshmeve por për shkak të interesave personale dhe sendeve të tjera që nuk iu kanë ecë edhe e kanë marrë atë vendim, e kanë pasë atë mundësi” – deklaroi Cena i pyetur rreth arsyeve të shkarkimit të tij të dhe nga bordi i drejtorëve.
Cena kur u pyet se cilat janë interesat personale të bordit nuk pranoi të komentojë, me arsyetimin se “është pak herët me folë për to por flasim nesër ose pasnesër”.
Ai kundërshtoi deklaratën e bordit se i dha vetës dhe zyrtarit kryesor financiar kundërligjshëm pagesë për punë jashtë orarit.