Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë. 31.07.2024. Foto: KALLXO.com
Komisioni hetimor për MPJD-në 'i bllokuar', deputetët do të dalin në pushim veror pa gjetur zgjidhje
Në pushime verore deputetët anëtarë të Komisionit hetimor parlamentar për Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës, shkuan pa gjetur asnjë zgjidhje se kë do të intervistojnë kur të kthehen përsëri në shtator, edhe pas gati gjashtë muajsh diskutime e përplasje.
Për shkak të mungesës të gjuhës së përbashkët, opozita dhe pozita po e akuzojnë njëri-tjetrin për bllokim të procesit për listën e dëshmitarëve të cilën që nuk arritën ta përzgjedhin që gjashtë muaj prej që është themeluar komisioni.
Këtë listë që është baza për të vazhduar puna e Komisionit hetimor, nuk arritën ta votojnë e le ta miratojnë, as një ditë para 1 gushtit, prej kur pritet që Kuvendi i Kosovës të fillojë pushimet.
Anëtarë të komisionit në fjalë janë: Time Kadrijaj (AAK), Ariana Musliu-Shoshi (PDK), Hisen Berisha (PDK), Rrezarta Krasniqi (LDK), Fitore Pacolli (LVV), Arbëresha Kryeziu-Hyseni (LVV), Gazmend Gjyshinca (LVV), Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli (Lista Guxo- LVV), Erxhan Galushi (Grupi Multietnik).
Përplasjet mes njëri-tjetrit se kë ta intervistojnë të parin e kë të fundin arritën deri në pikën sa që kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj në mbledhjen e datës 31.07.2024, e braktisi sallën së bashku me nënkryetaren e komisionit Ariana Musliu-Shoshi.
Arsyetimi i Kadrijajt para se të largohej, ishte që deputetët e Vetëvendosjes po bllokojnë procesin dhe nuk mund ta vazhdojë mbledhjen në këtë mënyrë. Të njëjtën gjë, se po bllokohet procesi e thonë që sa mbledhje me radhë edhe deputetët e LVV-së për palën tjetër.
Në mbledhjen e kaluar, Kadrijaj kishte paralajmëruar se nëse edhe në këtë mbledhje nuk arrihet t’i ipet fundi se cilët persona t’i intervistojnë, ajo do ta lë pozitën e kryesueses. Kështu u shpreh edhe deputeti Hisen Berisha (PDK), i cili tha se ‘nuk ka kohë dhe luks’ që të harxhojë në një komision në të cilin nuk ka rezultate.
Deputetët e LVV-së kërkojnë që tri listat: lista propozuar nga LVV; e ekspertëve; dhe e opozitës, të vihen në votim dhe të fitoj vota, ose të vazhdohet me listën e propozuar nga ta deri te numri 11 që përfundon me emrat e ish-ministrit Enver Hoxhaj dhe ministres të Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz, e pastaj të vazhdohen emrat nga opozita.
Kurse, deputetët e opozitës, në këtë rast të PDK-së dhe AAK-së nuk e pranuan një gjë të tillë duke vënë në pikëpyetje radhën e intervistimit të Enver Hoxhajt dhe duke kërkuar që ministrja Gërvalla të intervistohet në fund në arsyetimin se ky komision hetimor është themeluar për të hetuar keqpërdorimet në Ministrinë e Jashtme që nga vitit 2021 e tutje.
Diskutimi për të zgjedhur këtë listë ka zgjatur që më shumë se katër mbledhje. Përveç përplasjes mes deputetëve, nuk ka pasur votim tjetër përpos të rendit të ditës.
Në fillim të mbledhjes, Time Kadrijaj kërkoi që të ketë kompromis në mënyrë që mos të shkojnë në pushim pa gjetur zgjidhje.
“E kemi ezauru debatin sa nuk kisha dashtë me nisë këtë debat përsëri. Lista juaj deri te ministrat, më pas e opozitës e në fund ministrat”- tha Kadrijaj.
Deputetja, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, tha që nuk do të ndërrojnë qëndrimin e tyre.
“Nëse jemi dakord prej numrit 11 e tutje, të kundërtem nuk pajtohemi. Kur nuk ka kompromis duhet të vihet në votim. Në të kundërten ka tendencë me blloku komisionin prej opozitës”- tha Hyseni.
Ndërkaq, deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha që kompromisi i vetëm që ofrojnë është vetëm deri te numri 9 i listë të propozuar nga pozita, gjë që nuk ministren e tanishme dhe ish-ministrin Hoxhaj.
Haxhi Avdyli, deputet i koalicionit LVV-Lista Guxo tha që nuk po këmbëngulin që ta thirrin për intervistim ish-ministrin Hoxhaj të parin por të dhjetin.
“Procesi po bllokohet nga thirrësi i komisionit. Të shkojmë në pushim me një zgjidhje. Mos të kapemi në gjëra të vogla por të vazhdojmë tutje”- tha Avdyli.
Ndërkaq, Fitore Pacolli, këmbënguli në qëndimin e saj që deri te numri 11 të mos preket lista, e më pas emrat tjerë të propozohen nga opozita.
“Mundemi me lanë në shtator por ne nuk e ndërrojmë qëndrimin. Nëse nuk jeni në pajtim për koncensus ju lutem hidhi në votim”- tha Pacolli, e cila propozoi që të thirren në mbledhje drejtori i Zyrës Ligjore dhe drejtori i Komisioneve që të tregojnë se cila është rrugëdalja. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Pasi që kryetarja Kadrijaj e lëshoi sallën e mbledhjes së bashku me deputeten Musliu-Shoshi, deputetetët e pozitës mbetën të vetmit. Ata akuzuan që po opzoita po i frikësohen zbulimit të keqpërdorimeve, e për këtë arsye po e bllokojnë procesin.
“Nëse sot kryetarja dhe nënkryetarja e lëshojnë sallën i bjen që opozita po e bllokon këtë proces”- tha Arbëresha Kryeziu-Hyseni.
Edhe pse është themeluar qysh në mars të vitit 2024, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ende nuk ka arritur të gjejnë zgjidhje për mënyrën se si të vazhdojnë punën tutje.
Deri më tani kanë arritur ta intervistojnë vetëm një dëshmitar, ish-Sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behar Isma.
Iniciatorja e komisionit, deputetja Musliu-Shoshi kishte kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.
Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.
Ndër tjera, Musliu-Shoshi, kishte kërkuar procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e ish-sekretarit Behar Ismës, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.