Mbledhja e Komisionit Hetimor/ Foto:KALLXO.com

Komisioni Hetimor për energjinë sërish vazhdon mbledhjen pa praninë e mediave

Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës me energjinë nga Qeveria e Kosovës po e vazhdon mbledhjen pa praninë e mediave.

Kryesuesi i Komisionit, Driton Selmanaj ka kërkuar nga mediat që të dalin nga salla, pasi sipas tij çështjet që do të diskutohen janë teknike dhe nuk ka vendimmarrje.

“Me mirëkuptimin e mediave megjithëse do të diskutojmë për çështje CV-ve apo edhe me emra konkret të ekspertëve kisha sugjeru që të mbajmë komisionin me dyer të mbyllura. Është krejtësisht çështje teknike organizative e cila nuk ka vendimmarrje”, ka deklaruar Selmanaj.

Me asnjë votë kundër, Komisioni ka miratuar planin e veprimit të dakorduar.

Paraprakisht deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti ka pyetur kryesuesin e Komisionit se cili institucion do të ofrohet dokumente lidhur me shpalljen e  gjendjes emergjente për energjinë.

Selmanaj u shpreh se nuk ka nevojë për dokumente lidhur me këtë çështje dhe se nuk kanë nevojë t’i adresohen askujt duke shtuar se ekspertet do të dalin në përfundime.

Edhe deputeti i LDK-së Besian Mustafa ka thënë se kjo është pyetje për ekspertët dhe se ata mund të përgjigjen.

Edhe mbledhjen e kaluar ky Komision, pjesën e fundit të diskutimeve e ka mbajtur pa prezencën e mediave.

Komisioni hetimor për energjinë e vazhdon mbledhjen pa praninë e mediave