Komisioni hetimor për energji, LVV e PDK sërish nuk pajtohen për listën e dëshmitarëve

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, sërish nuk ka arritur që të nxjerrë një përfundim lidhur me listën e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim.

Hajdar Beqa, kryetar i këtij komisioni tha se janë dakorduar që të ftohen bartësit e institucioneve nga periudha 2006 deri 2022.

Beqa tha që ka kërkuar të largohen nga lista emrat të cilët është e pamundur t’i intervistojnë.

“Ti largojmë emrat e personave që nuk janë fizikisht në Kosovë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Kolë Berisha që ka ndrru jetë”, tha Beqa.

Arber Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se insistojnë që të gjithë të përfshihen në listë sepse sipas tij, kanë qenë vendimmarrës.

“Insistojmë që komplet bartësit e institucioneve duke e përfshirë edhe Glauk Konjufcën që të jenë pjesë e intervistimit”, tha ai.

Ndërkaq, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kanë insistuar të jenë njerëzit kompetent në listë dhe sipas tij lista është e ekzagjëruar.

Kurse, Time Kadriaj, nga AAK shtoi se duhet me qenë më praktik.

Edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, shtoi se deklarimet janë duke u përsëritur.

“Të shkojmë me propozime konkrete dhe të shkojmë në votim”, tha ai.

Hajdar Beqa është zotuar se gjatë rrugës në çdo mbledhje kanë të drejtë të shtojnë persona të ri.

Kjo pikë në të cilën ishin dy propozime nuk ka kaluar pasi propozimin e kryetarit Beqa për t’i larguar nga lista Thaçin, Veselin e Krasniqin nuk e votuan deputetët e LVV-së, ndërsa propozimin e LVV-së që lista të jetë e plotë nuk e votuan opozita.

“Kjo pikë është shtyrë për mbledhjen e radhës”, u shpreh Beqa.

Komisioni ka diskutuar edhe për angazhim të ekspertëve. Për këtë pikë është krijuar një grup punues.

Më 5 maj 2022, me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin hetimor për energji që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.