Komisioni Hetimor, menaxhmenti 2006 - 2008 pyetet se çka ka ndodhur me banesat e KEK-ut

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, ka nisur intervistimin e menaxhementit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për periudhën 2006-2008.

Të ftuar për intervistim ditën e sotme ishin Pranvera Dobruna, drejtoreshë menaxhuese në atë kohë; Nagip Krasniqi, drejtor i divizionit financiar në atë kohë dhe sekretarin e KEK në atë periudhë, Nexhat Podrimaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka pyetur të ftuarit rreth njohurive të tyre përreth 300 banesa që dikur ishin në pronësi të KEK-ut.

“A keni qenë të vetdijshëm në periudhën kur ju keni qenë se KEK ka pasur në pronësi 12 milionë euro vlera banesa. A e dini çka ka ndodhë me to?”- pyeti Muja.

Nagip Krasniqi, ish drejtor financiar tha se në kohën e udhëheqjes së tij, pronësia e këtyre banesave ka qenë e KEK ndërsa ato janë shfryrëzuar nga punëtorët e KEK-ut.

“Në kohën kur kam qenë, ka qenë një numër i banesave në KEK dhe një pjesë u kanë dhënë punëtorëve të KEK apo menaxhmentit. Këto banesa kanë qenë në shfrytëzim ndërsa pronësia ka qenë e KEK…, nuk e di sa ka qenë çmimi se sa janë blerë ato banesa pastaj, nuk jam ekspert”.

“Por e di që pë një kohë nuk janë paguar qiratë nga ata që i kanë pasur në shfrytëzim, dhe pastaj kanë pagu një shumë simbolike”- tha Nagip Krasniqi.

Ndërsa Nexhat Podrimaj, sekretar në atë kohë tha se KEK-u pas vitit 2010 ka marrë bazën ligjore për ato banesa dhe iu ka dhënë në shfrytëzim punëtorëve.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, pyeti për listë të uzurpatorëve të pronave të KEK-ut, ndërsa Krasniqi u përgjigj se ka ekzistuar një listë e tillë.

“Ka pas informata që disa banesa dhe lokale kanë qenë të uzurpueaea nëse e di saktë më vonë janë rikthy ato, kështu që ka pas banesa të uzurpume. Po lista ka ekzistu”- u pëergjigj Nagip Krasniqi.

Ndërsa ish drejtoresha menaxhuese, Pranvera Dobruna, e pranoi se kishte marrë një banesë nga KEK-u, por që sipas saj, e ka blerë sipas ligjit.

Tutje, Dobruna ka folur edhe për importin e energjisë elektrike në periudhën 2006 – 2008. Sipas saj, në atë kohë importi ka qenë shumë i vogël.

“Importi ka qenë shumë i vogël në atë kohë diku 5-6%, ndërsa e kemi balancu me metodën ABC… ka qenë e përbashkët, me shumë e ndërkombëtarëve përgjegjësia për blerjen e energjisë. Në atë kohë sektori i energjisë është subvencionu, ka pas të hyra të drejtpërdrejtë. Ne e kemi siguru të dhënat se sa është konsumi, sa prodhojmë dhe ata e kanë siguru importin e rrymës në kohë afagjatë”- bëri të ditur Dobruna.

Sipas saj, blerja e energjisë në atë kohë ka qenë shumë e vogël, ndërsa bashkëpunimi me Shqipërinë edhe në atë periudhë ka qenë shumë i mirë.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ishte propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje pas kërkesës nga opozita për themelimin e një tjetër komisioni hetimor që të hetohen vendimet e qeverisë Kurti në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike në dhjetor të vitit të kaluar.

Të dy komisionet hetimor ishin votuar në kuvend në maj të këtij viti.