Komisioni Evropian: Së shpejti vijnë vaksinat në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen thotë se së shpejti do të arrijë vaksinat e financuara nga Bashkimi Evropian në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Përmes disa postimeve në Twitter, von der Leyen ka njoftuar se ka biseduar me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës, të cilëve u ka thënë se BE-ja është “pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor”, për ta tejkaluar pandeminë e koronavirusit.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nga Bashkimi Evropian do të vijë 651 mijë vaksina kundër koronavirusit të kompanisë amerikane, Pfizer.

Shtetet e rajonit tashmë kanë nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit. Vetëm Kosova ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër sëmundjes COVID-19.

Më herët, autoritetet kanë thënë se në Kosovë gjatë marsit do të arrijë kontingjenti i parë me vaksina të kompanisë britanike, AstraZeneca. Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do të marrë falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë./REL