Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare

Komisioni Evropian rekomandon statusin kandidat për Ukrainën

Komisioni Evropian ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën, bëri të ditur presidentja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen.

“Ne rekomanduam që t’i japim Ukrainës statusin e vendit kandidat, duke nënkuptuar që vendi duhet të kryejë një sërë reformash të rëndësishme”, tha ajo.

“Ukraina ka treguar përkushtim për të respektuar vlerat dhe standardet evropiane”, shtoi von der Leyen.

Presidentja e KE-së tha se rekomandimi për Ukrainën ka ardhur pas një shqyrtimi të thellë të gatishmërisë së këtij shteti për statusin e kandidatit, përfshirë edhe kriteret politike dhe ato ekonomike. Sipas von der Leyen, Ukraina ka dëshmuar se ka një sistem të duhur politik dhe funksional, teksa viteve të fundit ka përafruar legjislaturën e saj me BE-në.

Ajo tha se Ukraina ka bërë shumë në sundimin e ligjit dhe tani fokusi do të jetë në gjyqësor dhe në mënyrën e emërimit të gjykatësve.

Në takimin e mbajtur më 17 qershor, Komisioni Evropian ka rekomanduar edhe dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE edhe për Moldavinë, por nuk i ka dhënë këtë rekomandim edhe Gjeorgjisë.

Në rastin e Gjeorgjisë është vlerësuar aspirata e këtij shteti për integrim në bllok, por KE-ja ka rekomanduar vetëm dhënien e “perspektivës evropiane” për Gjeorgjinë.

Ndërkaq, disa burime me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thanë se disa çështje mbeten të hapura, sikurse mundësia për të tërhequr statusin e vendit kandidat në rast se nuk ka përparim ose kushtet nuk plotësohen. Po ashtu ka bisedime nëse duhet ose jo të ketë hapa të caktuar politikë që duhet të ndërmerren nga shtetet para se të fitojnë statusin e kandidatit.

Rekomandimet e 17 qershorit të KE-së do të diskutohen nga liderët e BE-së gjatë takimit më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ku do të merret vendimi përfundimtar për rekomandimet e Komisionit Evropian.

Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendim që duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare.

Ky takim i Komisionit vjen një ditë pasi katër liderë evropianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.

Franca, Gjermania, Italia dhe Rumania janë në favor që Ukraina të marrë “menjëherë” statusin e vendit kandidat, tha më 16 qershor në Kiev, presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Vizita e liderëve evropian në Kiev kishte një simbolikë të fuqishme se BE-ja mbështet Zelenskyn, i cili i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i ofrojë shtetit të tij anëtarësim përmes procedurave të shkurtuara, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte “përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit të paprovokuar rus.

Zelensky ka dorëzuar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim në BE pak kohë pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt, ndërkaq Moldavia dhe Gjeorgjia kanë bërë një gjë të tillë pak kohë pas Kievit.

Macron më 16 qershor po ashtu premtoi se Franca do të rrisë dërgesat me armatime për Ukrainën, në mënyrë që Kievi të mund të përballet me pushtimin rus.

Dërgesa e re do të përfshijë dhe gjashtë armë të fuqishme të artilerisë, tha Macron, duke shtuar se liderët “po bëjnë gjithçka që Ukraina e vetme të mund të vendosë për fatin e saj”.

Scholz tha më 16 qershor se Gjermania mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë.

“Kolegët e mi dhe unë kemi ardhur në Kiev sot për të dhënë një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes evropiane”, tha Scholz.

Kjo ishte vizita e parë e Scholzit në Kiev që prej fillimit të luftës. Ai ka qenë nën presion që të vizitojë kryeqytetin ukrainas dhe të shprehë solidaritetin e tij me Ukrainën.

Ndërkaq, kryeministri italian Draghi, shprehu shqetësimet lidhur me me drithërat e Ukrainës, të cilat nuk po mund të eksportohen për shkak të bllokadave të Rusisë në portet e Detin të Zi. Ai tha se bllokada mund të sjellë “katastrofë në mbarë botën”.

“Ne duam që mizoritë të ndalen dhe ne duam paqe”, tha Draghi. “Por, Ukraina duhet ta mbrojë veten dhe do të jetë vetë Ukraina që do të zgjedhë paqen që do”.

Si Macron ashtu edhe Scholz po ashtu thanë se Ukraina duhet të përcaktojë kushtet e çdo marrëveshjeje të mundshme të paqes me Rusinë./REL