Komisioni Evropian miraton asistencën financiare mbi 138 milionë euro për Kosovën

Komisioni Evropian ka njoftuar se ka miratuar ndarjen e rreth 138 milionë eurove si asistencë për Kosovën përmes programeve IPA 2019 dhe 2020.

50 milionë euro nga shuma totale janë ndarë për të trajtuar pasojat socale dhe ekonomike të krizës nga pandemia COVID-19.

“Nga kjo shumë, 50 miliona Euro janë ri-programuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës nga COVID 19 në afat të shkurtër dhe të mesëm. Do të përkrahen sektorët vijues: Demokracia dhe Qeverisja (Përafrimi me BE), Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, Konkurrenca, Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale”, thuhet në njoftim.

Këto marrëveshje janë nënshkruar nga të dyja palët, Kosova dhe Bashkimi Evropian dhe pritet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.

“Përmes këtyre programeve, Komisioni Evropian do t’i përkrahë bizneset fillestare dhe mikro-bizneset, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të rinjve dhe grave, cilësinë e arsimit të lartë, mbrojtjen sociale dhe nevojat themelore të familjeve në varfëri ose pa të ardhura, dhe trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor. Ai gjithashtu do ta përkrahë Kosovën në parandalimin e degradimit mjedisor të tokës dhe ajrit dhe ndikimin negativ në shëndetin e njeriut duke zvogëluar ndotjen me mbetje të ngurta dhe emetimet nga prodhimi i energjisë”, vazhdon tutje komunikata.

Instrumenti për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA II) është instrumenti kryesor financiar për ta siguruar përkrahjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. IPA II përqendrohet në objektiva specifikë, siç janë përkrahja për reformën politike dhe zhvillimin ekonomik, social dhe territorial; përpjekjet për ta forcuar aftësinë e përfituesve për t’i përmbushur detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian; dhe puna në forcimin e integrimit rajonal dhe bashkëpunimit territorial.