Flamujt e BE-së të vendosur pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel.

Komisioni Evropian korrigjon raportin ku kritikoi vendet e rajonit që nuk i vendosën viza Kosovës

Komisioni Evropian ka korrigjuar raportin e publikuar më 5 dhjetor, në të cilin kërkohej nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që t’i vendosin viza Kosovës dhe vendeve tjera konform politikave të Bashkimit Evropian.

Në dokumentin e publikuar, thuhet se Kosova është fshirë nga kapitujt e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Më 6 dhjetor, zyrtarë nga Komisioni Evropian pranuan se gabimisht kanë kërkuar nga vendet e rajonit që t’i vendosin viza Kosovës duke shtuar se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se e përkrahin me prioritet lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i cili tha se Komisioni i BE-së njoftoi se do të korrigjojë raportin, i cili gabimisht nënkuptonte se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të vendosin viza për Kosovën.

“Komisioni i BE-së sapo njoftoi se do të korrigjojë raportin e tij, i cili gabimisht nënkuptonte se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të vendosin viza për Kosovën”- ka shkruar Bajrami në Twitter.

Një ditë më herët, ai e quajti të papranueshme kërkesën për viza ndaj Kosovës.

Komisioni Evropian publikoi raportin e pestë lidhur me mekanizmin e pezullimit të vizave për vende të Ballkanit Perëndimor dhe harmonizmim e politikave të tyre me ato të BE-së, në të cilin mes tjerash kritikohen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që nuk kanë ndërmarrë veprime për të harmonizuar politikën e tyre të vizave me listën e vendeve të kërkuara për viza të BE-së, duke përmendur edhe Kosovën.

Hyrja e kosovarëve në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, lejohet me kartë identiteti.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.