Komisioni Evropian i ndan Imri Ahmetit çmimin ‘Kryetari më miqësor me komunitetin rom’

Komisioni Evropian (KE) kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetit i ka ndarë çmimin “Kryetari më Miqësor me komunitetin Rom”, si shenjë mirënjohje për punën dhe angazhimin në mbështetje të komuniteteve pa dallim.

Organizata joqeveritare “Voice of Roma Ashkali dhe Egyptians” – VoRAE, ka bërë të ditur se gara për kryetarin më miqësor me romët ka filluar që nga prilli i këtij viti ku të gjithë kryetarët e komunave të banuara me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kanë pasur mundësi të aplikojnë në OJQ-në VoRAE duke shpalosur punën e tyre për integrimin e këtyre tri komuniteteve në fusha të ndryshme siç janë banimi, punësimi, edukimi dhe shëndetsia.

“Këtë vit ky çmim i takoi kryetarit të komunës së Lipjanit Imri Ahmeti i cili me 19 nëntor në Bruksel në Parlamentin Europian pranoi këtë çmim nga Marta Garcia Fidalgo, Drejtoria gjenerale për marrëdhënie të mira fqinjësore pranë Komisionit Europian”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti pas marrjes së çmimit është zotuar për vazhdimin me vullnet dhe detyrim për mbështjetje dhe angazhim në mbështetje të projekteve që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve e në veçanti të komuniteteve në Lipjan.

Fitues të kësaj gare për çmimin “Kryetari më Miqësorë me Romët”, ishin kryetarët e komunave të shtatë shteteve të rajonit.

Nga shtetet tjera fqinjë çmimet u ndanë për: Majlinda Bufi – Roskovec, Shqipëri, Vladan Glišić nga Mladenovac, Serbi, Abdül Batur nga Konak, Ozmir, Turqi, Kurto Dudush – Kuco nga Komuna Šuto Orizari, Maqedonia e Veriut, Petar Smolović nga Bijelo Polje, Mali i Zi, Aldin Jljivo nga Kakanj, Bosnje dhe Hercegovinë, dhe Imri Ahmeti, Komuna e Lipjanit, Kosovë.