Komisioni Evropian e quan shqetësues shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga Qeveria Hoti

Zëdhënësja në Komision Evropian, Ana Pisonero, e ka quajtur shqetësues faktin për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Pisonero ka deklaruar se ky departament luan një rol kryesor në luftën kundër korrupsion.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar departamentin e posaçëm anti-korrupsion me Policinë e Kosovës ngre shqetësime në lidhje me angazhimin e tij në luftën kundër korrupsionit. Ky departament luan një rol kryesor në këtë luftë, siç është vërejtur së fundmi”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Twitter”.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e 19 tetorit ka marrë vendim për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, kërkoi që kabineti qeveritar të ‘mos ngutet’ me marrjen e këtij vendimi por që të bëjë një rishikim të punës së deritanishme të kësaj taskforce.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit Avdullah Hoti tha që nuk mund të ketë dëmtim të proceseve me shuarjen e kësaj task-force pasi që, sipas tij, ndarja e kompetencave është e rregulluar me ligj.

Departamenti Special Anti-Korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë,  është themeluar më 26 shkurt të vitit 2010 në kohën sa ishte kryeministër, Hashim Thaçi.

Ky departament përbëhet nga 8 prokuror, 5 vendorë, ndërsa 3 të emëruar nga autoritetet e EULEX-it.