Komisioni Europian zoton 15 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit

Komisioni Europian është zotuar se do t’i ndajë 15 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit që la të vdekur 52 persona.

Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përmes një postimi në Twitter.

“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama dhe e informova atë se Komisioni Europian zoton 15 milionë euro si mbështetje të menjëhershme për popullin shqiptar”, ka shkruar Von der Leyen.

Po ashtu ajo ka thënë se BE do të organizojë një konferencë për donatorë për të ndihmuar Shqipërinë.

“Më tej, BE do të organizojë një konferencë të donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë në rindërtimin”, thuhet në postimin e Von Der Leyen.

Më 26 nëntor, Shqipëria është goditur nga një tërmet me magnitudë 6.4 shkallë Rihter, i cili la të vdekur 52 persona dhe qindra të tjerë të plagosur dhe pa strehë.