Flamujt e BE-së të vendosur pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel.

Komisioni Europian propozon ndalimin e udhëtimeve brenda BE-së deri më 15 maj

Komisioni Europian ka ftuar shtetet e BE-së që të zgjatin ndalimin e përkohshëm të udhëtimit jothelbësor nga shtetet e tjera në ato anëtare të BE-së deri më 15 maj për shkak të përpjekjeve për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Kufizimi i udhëtimit, si dhe kërkesa për ta zgjatur atë, vlen për ‘zonën e BE-së’, e cila përfshin të gjitha shtetet anëtare të Schengenit (përfshirë Bullgarinë, Kroacinë, Qipron, dhe Rumaninë) dhe 4 shtetet e asociuara të Schengenit (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia , dhe Zvicra) – gjithsej 30 vende.

Vlerësimi i Komisionit për situatën aktuale tregon për një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve në të gjithë BE-në, si dhe për përparimin e pandemisë jashtë BE-së, përfshirë në vendet nga ku zakonisht miliona njerëz udhëtojnë në BE çdo vit. Në këtë kontekst, zgjatja e kufizimit të udhëtimit është e nevojshme për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së sëmundjes më tej.

Komisioneri për Mbrojtjen e Mënyrës Europiane të Jetesës, Margaritis Schinas, deklaroi se të gjitha shtetet anëtare kanë zbatuar me sukses masën e distancimit sociale për të kufizuar ndërveprimin shoqëror dhe për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

“Kufizimi i udhëtimit jothelbësor nga vendet e treta në BE plotëson këto masa në kufijtë e jashtëm të BE-së. Ndërsa ne mund të shohim nxitjen e rezultateve të para, zgjatja e kufizimit të udhëtimit është e nevojshme për të vazhduar zvogëlimin e rreziqeve të përhapjes së mëtejsheme të sëmundjes. Ende nuk duhet ta lëmë derën të hapur ndërsa po sigurojmë shtëpinë tonë”, tha ai.

KE bën thirrje për një qasje të koordinuar pasi beson se masat mund të jenë efektive vetëm nëse zbatohen nga të gjitha vendet në të njëjtën periudhë dhe në një mënyrë unike.

Që nga zbatimi i kufizimit të udhëtimit në gjysmën e dytë të marsit, trafiku i pasagjerëve ajrorë është zvogëluar pothuajse në zero, me fluturimet e mbetura kryesisht të kufizuara në transportin e mallrave dhe riatdhesimin. Një trend i ngjashëm i trafikut të udhëtarëve mund të shihet në mënyra të tjera të transportit, të tilla si në traget dhe transport hekurudhor, thuhet në njoftim.