Komisioni per Buxhet, Pune dhe Transfere. 26/04/2022

Komisioni e miraton në parim Projektligjin për buxhetin 2022, opozita nuk merr pjesë në votim

Me gjashtë vota pro dhe pa pjesëmarrjen e anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere nga opozita, është miratuar në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2022.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, se shuma e rishikimit të buxhetit është mbi 150 milionë euro.

“Shuma e rishikimit të këtij buxheti është prej 150,5 milionë euro”, tha Murati.

Sipas anëtarit të Komisioniot nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avduallah Hoti Projektligji për rishikimin e buxhetit nuk plotëson kushtet e Ligjit për Menaxhimin e financave publike për t’u miratuar.

“Bën gabim Qeveria që e ka sjell kështu dhe bën gabim ky Komision dhe pastaj Kuvendi nëse e voton sepse hapet dera që ky Ligj të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese”‘, tha ai.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se në rishikimin e buxhetit nuk iu është sjellë analiza makroekonomike.

“Nuk na ka ardhur analiza makroekonomike që pse duhet të kemi një buxhet të tillë që me 150 milionë euro mbulohen nevojat. Forma se si u sjell ky propozim pas vendimeve të qeverisë, ku është marrë baza ligjore që të ndahen këto mjete”, tha ai.

Ministri Murati tha se rishikimi është bërë për një periudhë të jashtëzakonshme, andaj sipas tij nuk mund të bëhet një analizë të faktorëve makroekonomik.

“Siç e dini gjatë vitit të kaluar kemi dorëzuar buxhetin, dhe kemi paraparë që të bëjmë një rishikim. Para jush kemi një rishikim që është bërë vetëm në ministrinë e financave dhe jo në organizata tjera buxhetore”, tha Murati.

Anëtarët e Komisionit nga opozita,  Avdullah Hoti (LDK) dhe Mërgim Lushtaku (PDK) nuk kanë marrë pjesë në votimin e këtij projektligji në parim.