Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Johansson: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave

Këtyre ditëve, një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës po qëndron për një vizitë në Sarajevë, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Bashkëpunimin dhe Koordinimin në Menaxhimin e Migrimit, për Drejtimet Strategjike të Kthimit dhe Ripranimit dhe për Luftimin e Trafikimit dhe Kontrabandimit të Njerëzve. 

Delegacioni i kryesuar nga zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani po merr pjesë në Dialogun e Dytë të Sarajevës për Migrim.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, zëvendësministri Gashani ka shkruar se, përveç takimeve dhe bisedave të shumta me udhëheqës të institucioneve shtetërore nga Ballkani, Turqia  dhe Evropa, takimit në Sarajevë i janë drejtuar përmes video-lidhjes edhe ministri i Brendshëm austriak si dhe dhe Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson. 

Gjithnjë sipas zëvendësministrit Gashani, znj. Johansson, gjatë adresimit të saj, mes tjerash, nuk e ka lënë pa e përmendur faktin se tashmë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e saj.