Oliver Varhelyi; Foto: Bashkimi Evropian

Komisioneri Varhelyi, thirrje Kosovës e Serbisë të sigurojnë lëvizjen e lirë

Komisionari i lartë i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka shkruar një mesazh për Kosovën dhe Serbinë lidhur me aksionin e fundit për targat në veri të vendit.

Varhelyi, ka shkruar në Tëitter, se palët duhet t’i rikthehen dialogut dhe të sigurohet liria e lëvizjes.

Sipas tij veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje.

“Është e rëndësishme që të ushtrohet vetëpërmbajtja dhe të de-eskaloni tensionet, t’i riktheheni dialogut dhe të siguroni lirinë e lëvizjes pa vonesë. Veprimet e njëanshme nuk janë kurrë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 20 shtator kishte thënë se lidhur me operacionin në veri të vendit institucionet e Kosovës kanë pasur bashkëbisedim dhe koordinim me aleatët.

Sveçla ka shpjeguar se MPB me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit 2016, ka nxjerrë vendim që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hynë në territorin e Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare.

Ministri Sveçla: Për operacionin e sotëm kemi koordinim me aleatët