Oliver Varhelyi; Foto: Bashkimi Evropian

Komisioneri i BE-së viziton Ballkanin Perëndimor

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi po qëndron për vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Varhely ka njoftuar se qëllimi i vizitës është lufta ndaj COVID-19 dhe përkrahja me vaksina e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai së fundi ka qëndruar për vizitë në Serbi, ndërsa nuk dihet nëse do ta vizitojë edhe Kosovën. KALLXO.com ka dërguar pyetje ne Qeverinë e Kosovës për të kuptuar nëse komisioneri evropian do ta vizitojë Kosovën dhe se më kë do ta takohet, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Nga vizita në Serbi, ai ka thënë se përmes COVAX dhe BE-së do të shpërndajnë gati një milion doza të vaksinave kundër COVID-19 në Ballkanin Perëndimor.

Paraprakisht, komisioneri Varhelyi kishte paralajmëruar vizitën në Ballkanin Perëndimor.

“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe ata më të rrezikuarit. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Më të fortë së bashku”, kishte paralajmëruar Komisioneri Evropian në llogarinë e tij në Twitter.