KOMF thirrje prindërve: Rrini n’shpi, mbrojini fëmijët!

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka kërkuar nga prindërit, kujdestarët dhe familjet të kenë prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga transmetimi i virusit COVID-19 dhe efektet negative psikologjike që mund të vinë tek fëmijët si pasojë e kësaj pandemie.

Sipas KOMF, bazuar në informatat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, fatmirësisht deri në këto momente, asnjë fëmijë në Kosovë nuk është evidentuar që është prekur nga virusi COVID-19.

“KOMF vlerëson masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Përkundër masave të ndërmarra deri më tani, KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të siguruar parandalim, mbrojtje, informim të saktë dhe mirëqenie për fëmijët”, thuhet në njoftim.

KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë të fëmijëve, që të mbani fëmijët e sigurtë brenda ambientit familjar, në shtëpi, e cila në këtë periudhë po konsiderohet si masë e domosdoshme për mos ekspozimin e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së virusit.

“Prindër, reduktoni daljet veç në raste emergjente!  Lidhur me masat parandaluese për mbrojtjen e fëmijëve nga virusi COVID- 19, prindër, ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandime këto sikur larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun, mbajtja e higjienës personale dhe higjienës së shtëpisë, ajrosja e shtëpisë, qëndrimi në distancë nga njëri tjetri së paku 2 metra”, vijon deklarata.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar se numri i të infektuarve me coronavirus ka shkuar në 33.

Për të zvogëluar ndikimet e mundshme negative të situatës së krijuar tek fëmijët, KOMF ka kërkuar nga prindërit dhe kujdestarët të ndjekin rekomandimet për kujdesin ndaj fëmijëve:

Inkurajoni fëmijët që të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e krijuar;

Informoni drejt dhe saktë fëmijët lidhur me virusin COVID-19. Varësht nga mosha dhe zhvillimi i fëmijës, ofroni informacionin, zgjedhni qasjen dhe metodologjinë e përshtatshme. Gjatë diskutimit, tregohuni të gatshëm t’i dëgjoni, ofroni mbështjetje, vëmendje dhe siguri;

Informoni fëmijët për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të shpërndarjes të virusit siç janë larja e duarve, dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës së nevojshme dhe të ngjashme. Bëjeni këtë bashkarisht duke përdorur metoda argëtuese, përmes lojës, leximit, këngës dhe vizatimit;

Vazhdoni rutinën familjare normalisht, zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët;

Hulumtoni për libra, filma, lojëra të ndryshme për angazhim të familjes gjatë kësaj kohe;

Punoni më fëmijët në mënyrë që të mos shkëputen nga sistemi arsimor;

Mundësoni komunikimin në distancë (online) me shoqërinë e tyre, në mënyrë që të mos ndërprejnë jetën sociale;

Punoni dhe hulumtoni me fëmijët për të zhvilluar aftësi të reja tek ta.

KOMF kërkon angazhim maksimal të të gjithë prindërve dhe akterëve të përfshirë në menaxhimin e situatës më COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të fëmijëve.