KOMF publikon 'Politikën Rekomanduese për Mbrojtjen e Shëndetit të Fëmijëve'

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka publikuar sot “Politikën Rekomanduese për Mbrojtjen e Shëndetit të Fëmijëve”, përmes të cilës  ka kërkuar vendosjen e shëndetit të fëmijëve në qendër të prioriteteve dhe të veprimeve në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorive Komunale për Shëndetësi.

Sipas një njoftimi për media, Politika Rekomanduese u hartua nga Grupit Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi, në kuadër të KOMF.

Çështjet prioritare të ngritura me këtë Politikë Rekomanduese janë:

  • Gjidhënia, imunizimi dhe shërbimet shëndetësore për fëmijët në kujdesin parësor
  • Shërbimet shëndetësore për fëmijët në kujdesin sekondar dhe terciar
  • Shërbimet shëndetësore për fëmijët e komuniteteve
  • Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi me narkotikë, duhani, alkooli dhe pijet energjike
  • Mbrojtja e shëndetit mendor të fëmijëve
  • Mbrojtja e fëmijëve nga ndotja e ajrit
  • Furnizimi me barna dhe Lista e Barnave Esenciale
  • Ligji për Sigurime Shëndetësore
  • Integrimi i shërbimeve shëndetësore, sociale dhe arsimore
  • Blerja e shërbimeve shëndetësore nga sektori jo qeveritar dhe privat

“KOMF kërkon vëmendje dhe ndërhyrje të menjëhershme në çështjet e adresuara në këtë politikë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe rekomandon fuqishëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtoritë Komunale për Shëndetësi që të rrisin investimet në sektorin e shëndetësisë, me qëllim implementimin dhe zbatimin e reformave dhe politikave në këtë sektor, të cilat ndikojnë në sigurimin e shërbimeve cilësore për fëmijë”, thuhet më tej.

Kjo Politikë Rekomanduese u publikua përmes konferencës për media, ku pjesë e panelit ishin Arsim Berisha, Zv. Ministër i Shëndetësisë, Donjetë Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF, Muhamet Arifi, Drejtor Ekzekutiv në Balkan Sunfloëers dhe Vlorian Molliqaj, Drejtor Ekzekutiv në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.