KOMF

KOMF kërkon krijimin e një baze të të dhënave për personat e dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka reaguar për rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga 5 persona të dyshuar përderisa ishte duke ecur në njërin nga parqet e kryeqytetit.

Nga KOMF u shprehën të indinjuar lidhur me krijimin e kulturës së mosndëshkimit të kryerësve të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve në Kosovë.

“Kjo kulturë ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku shkelja e të drejtave themelore të fëmijëve, cenimi i integritetit të tyre fizik, moral dhe seksual, bëhet fenomen i zakonshëm e jo përjashtim” – kanë thënë nga KOMF gjatë konferencës.

KOMF ka kërkuar krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve; ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal; ofrimin urgjent të trajtimit dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima  të ngacmimit apo abuzimit seksual.

“Rastet e abuzimeve seksuale të fëmijëve dëshmojnë dhimbshëm jo vetëm ngathtësinë dhe mefshtësinë e sistemit të mbrojtjes së fëmijës viktimë e abuzimit seksual, por edhe mungesë të theksuar të seriozitetit të gjithë sistemit të drejtësisë, në trajtimin dhe ndëshkimin e kryerësve të abuzimit seksual me fëmijët” – thuhet tutje në reagimin e KOMF.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Fillimisht ishte njoftuar se janë arrestuar dy persona, E.R., 27-vjeç dhe G.R., 16-vjeç. Më pas, dje në mbrëmje, ministri i Punëve të Brendshme kishte njoftuar se janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë. KALLXO.com ka mësuar se edhe dy personat e arrestuar dje janë të mitur.

Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park përderisa ishte duke ecur