Komenti i mjekut ligjor që bëri raportin e vdekjes së Astrit Deharit

Më 18 nëntor të vitit 2016, Raporti i Institutit të Mjekësisë rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit kishte konstatuar se ai ka bërë vetëvrasje.

Raportin për rastin Dehari e kishin kryer tre mjekët ligjorë, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi.

Për herë të parë, për KALLXO.com ka folur njëri nga anëtarët e këtij komisioni, Flamur Blakaj.

Kur Blakaj është pyetur nga KALLXO.com rreth qëndrimit të tij për rastin Dehari pas publikimit të ekspertizës e cila është bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ai ka thënë se nuk ka qëndrim rreth kësaj ekspertize.

“Nuk kemi qëndrim, ne qëndrimin e kemi dhënë kur e kemi bo autopsinë kur e kemi dhanë raportin, kështu që nuk kemi çka”, ka thënë Blakaj.

Blakaj ka folur tutje për rezultatet e ekspertizës së bërë nga Instituti zviceran i Mjekësisë Ligjore, e cila nuk e ka përjashtuar mundësinë që rastin mund të jetë vrasje.

“Nuk na intereson ajo hiç, ne e kemi dhanë mendimin tonë atëherë kështu që nuk kemi çka”, ka thënë Blakaj.

Konstatimet e bëra nga ky komisioni kishin konstatuar se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje, por një version tjetër është bërë i ditur nga ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore e bërë në Lozanë të Zvicrës.

Në këtë ekspertizë nuk është përjashtuar mundësia që Dehari të jetë vrarë.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në ekspertizën e ekspertëve zviceranë.

“Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vërejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet tutje në ekspertizën zvicerane.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raportin zviceran.

Avokati i familjes, Tomë Gashi, ka thënë se Astrit Dehari është vrarë pasi ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa Prokuroria Themelore në Prizren ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë hetimet lidhur me rastin.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016.

Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data.

Kthehet Nga Austria Ekspertiza e Videos në Rastin ‘Dehari’