Komedia ‘Shfaqja që shkon keq’ triumfoi në ‘Mitrovica in Fest’ 2019

Komedia e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, “Shfaqja që shkon keq” me regjisor Ilir Bokshit ka marrë çmimi “Shfaqja më e mirë”, në Festivalin  Tradicional të Komedisë, “Mitrovica in Fest” që mbylli edicionit e tij të 10+1, të premten (më 13 shtator 2019) në orët e vona.

Juria e festivalit në përbërje të: Burbuqe Berishës, Agim Selimit dhe Hazir Hazirit, përveç çmimit për “Shfaqjen më të mirë” të festivalit, ndanë edhe këto çmime: Çmimin “Regjia më e mirë”, e mori Afeida Boriqi me shfaqjen “Misteri”; çmimi  “Aktori më i mirë protagonist” shkoi për Artan Islami për rolin në  shfaqjen “Sundimi i Gruas”, ndërsa, çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste” e mori Xhejlane Terbunja me shfaqjen “Komedi e Kuqe”.

Ndërsa, çmimi “Aktori më i mirë joprotagonist” iu dha Artan Ibishi me shfaqjen “Misteri”, kurse me çmimin “Aktorja më e mirë joprotagoniste” u shpërblye Tringa Hasani me shfaqjen “Shfaqja që shkoi keq”. Gjithashtu Festivali nderoi të gjithë pjesëmarrësit me mirënjohje.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit Tradicional të Komedisë, “Mitrovica in Fest” u mbajt nga 9 deri më 13 shtator në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” të Mitrovicës.

Gjatë pesë netëve të këtij festivali u prezantuaN  pesë komedi: “Sundimi i gruas”, shfaqje e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës;  “Jashtë bie borë”, shfaqje e Teatrit të Tetovës; “Komedia e Kuqe” e Teatrit të Qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”;  “Misteri” e Teatrit të Qytetit të Preshevës dhe  “Shfaqja qe shkoi keq” e Teatrit të Qytetit të Gjilanit.