Foto ilustrim: REL

Komandot izraelite kryejnë sulm sekret brenda Sirisë

Një uzinë  për prodhimin e raketave në Siri është shkatërruar gjatë një sulmi izraelit, thonë zyrtarët perëndimorë, raporton gazeta “New York Times”. Mediat shtetërore siriane kanë thënë se është raportuar për 18 persona të vrarë gjatë sulmit.

Izraeli ka kryer të dielën (08.09.2024) një sulm me komando në Siri, që kishte për qëllim shkatërrimin e një fabrike që prodhonte raketa për “Hezbollahun” në afërsi të kufirit me Libanin.

Operacioni përfshinte një aksion bastisjeje të forcave speciale izraelite, që raportohet se kanë zbritur nga helikopteri dhe duket se kanë rrëmbyer materialet nga uzina e raketave, kanë thënë zyrtarët për NYT-in.

Forcat tokësore ishin përdorur në sulm për shkak të kompleksitetit dhe informacioneve nga zona sekrete e armëve, kanë shtuar zyrtarët. Nuk është raportuar për ndonjë të vrarë nga radhët e forcave speciale izraelite.

Zyrtarët kanë thënë se aksioni përfshinte edhe bombardime ajrore mbi cakun, e njohur si Qendra për Kërkime dhe Studime Shkencore afër Masyafit, në veriperëndim të Sirisë.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, ka raportuar të hënën se 18 persona ishin vrarë dhe se shumë të tjerë ishin lënduar. Obersvatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup me bazë në Britaninë e Madhe që mbulon shifrat e të vrarëve në Siri, ka thënë s euslmi ajror ka shënjestruar një institut për kërkime shkenmcore, ku po zhvilloheshin programe për prodhimin e raketave me rreze të shkurtra dhe të mesme veprimi.

Izraeli ka refuzuar të komentojë aksion.

Ekspertët e pavarur, zyrtarët izraelitë dhe ata amerikanë e kanë përshkruar institutin në Siri si qendër për kërkim dhe zhvillim të armëve, që ndihmohet nga Irani. Dyshohet se aty po zhvilloheshin armë kimike dhe biologjike, derisa armët po përdoren prej “Hezbollahut”, aleat i Iranit në Liban, që e lufton Izraelin.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com