Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Rakiqin dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës

Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është takuar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

Sipas një njoftimi nga KFOR, gjatë këtij takimi njohës, komandanti i KFOR-it diskutoi për situatën e përgjithshme, veçanërisht për një komunikim të besueshëm dhe transparent dhe për aspektet e sigurisë në veri të Kosovës.

Tutje u tha se komandanti informoi Rakiqin dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar ndonjë përshkallëzim në të ardhmen.

Sipas njoftimit, në këtë takim kryetarët e komunave u siguruan se KFOR-i po monitoron nga afër situatën, veçanërisht në veri të Kosovës dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

Kjo me qëllim që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe të sigurojë një liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Gjenerali Ristuccia u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, të ruajnë përmbajtjen,  të përmbahen nga dhuna dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog” – thuhet tutje.

KFOR-i njofti se mbeten të paanshëm dhe të përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.