ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Komandanti i Policisë në Skenderaj ia pa sherrin postimit në Facebook

Komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, Bastri Durmishi është suspenduar nga puna me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj.

Lajmin për suspendimin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë drejtori Qalaj.

Sipas Qalajt, suspendimi është bërë për shkak të një postimi në rrjetin social Facebook.

“Po është suspenduar për shkak të një postimi në që ka bërë në rrjete sociale. Siç edhe e dini kemi marrë një vendim që zyrtarët policor të mos shfaqen në rrjete sociale me komente apo postime të ndryshme të cilët mund të ndikojnë në pozitën e tyre të zyrtarit policor”, tha Qalaj për KALLXO.com.

KALLXO.com gjithashtu ka siguruar edhe vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës për këtë çështje.

Vendimi erdhi pasi që drejtori i Policisë kishte vërejtur se kohët e fundit zyrtarët policor kishin postuar në rrjete sociale fotografi të ndryshme në uniformë apo jashtë saj e që lidheshin me punën policore.

Vërejtje për këto postim sipas vendimit, drejtori Qalaj i kishte përësitur edhe më parë.

Për arsye të këtyre postimeve apo komenteve që i kanë bërë zyrtarët policor sipas vlerësimeve të drejtorit mund të degradojnë imazhin e policisë.

Drejtori Qalaj u ka ndaluar të gjithë zyrtarëve policor të pozitave të ndryshme që të bëjnë postime në lidhje me situatën aktuale për COVID-19 apo edhe për situatën politike në vend.