Komandanti i misionit të KFOR-it: Palët të shmangin shfaqjet provokuese të forcës në veri

Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia duke iu referuar situatës aktuale në veri të Kosovës, ka deklaruar se mbetet në kontakt të afërt me të gjitha palët e përfshira në proces.

Përmes një komunikate për media, ai tha se KFOR-i mbështetë dialogun për të gjetur marrëveshje me qëllim të zbutjes së tensioneve në veri duke shtuar se presin që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut” – thuhet në komunikatë.

KFOR-i thotë se ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit dhe se mbeten vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut” – thuhet më tej në deklaratën e Ristuccias.

KFOR-i e ka konfirmuar edhe më herët që ka rritur prezencën dhe patrullimet në muajt e fundit.

Tashmë janë bërë dy javë që nga vendosja e barrikadave në veriun e Kosovës që erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ministri i Brendshëm ka thënë se Kosova i ka kapacitetet për largimin e barrikadave por kryeministri i Kosovës ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën që e ka mbajtur më 22 dhjetor në Mitrovicë, tha se nëse KFOR-i nuk i largon këto barrikada, duhet ta njoftojë Qeverinë e Kosovës për pamundësinë e këtij veprimi, me qëllim që këta të fundit ta kryejnë vet këtë punë.